Besnik Osmani : “Ne jemi të detyruar me Kushtetutë dhe ligje të sigurohemi se komunat janë duke ofruar shërbime cilësore për qytetarët që ndodhin përmes organeve të pushtetit lokal, dhe nëse komunat dështojnë t’i ofrojnë këto shërbime duhet të gjejmë zgjidhje të tjera ligjore” 22 mars 2016, Prishtinë
Besnik Osmani : “Ne jemi të detyruar me Kushtetutë dhe ligje të sigurohemi se komunat janë duke ofruar shërbime cilësore për qytetarët që ndodhin përmes organeve të pushtetit lokal, dhe nëse komunat dështojnë t’i ofrojnë këto shërbime duhet të gjejmë zgjidhje të tjera ligjore”
Procesi i krijimit të komunave të reja duhet të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe specifike dhe t’i nënshtrohet një varg obligimeve kushtetuese dhe ligjore, posaçërisht orientimeve strategjike që ka përcaktuar strategjia për vetëqeverisje lokale 2016- 2026, tha për Radio Televizionin Publik të Kosovës, z. Besnik Osmani Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Administrimit të Pushtet Lokal.
Lidhur me debatin e ngritur, ditëve të fundit për krijimin e komunave të reja, në veçanti atë të Prilluzhës, Sekretari Besnik Osmani, tha se kërkesat dhe iniciativat janë legjitime, perceptimet mund të jenë ndryshme, që një territor i caktuar gjeografik brenda Kosovës, nëse organizohet si njësi e qeverisjes lokale, mund të këtë një perspektivë më të mirë administrative ekonomike, mirëpo ky proces trajtohet në mënyrë të veçantë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, të gjitha kërkesat të trajtohen në aspektin ligjor, funksional administrativ dhe financiar.
Mënyra më e mirë, për ta zbatuar këtë proces është qasja strategjike, bazuar në strategjinë afatgjatë për qeverisje lokale 2016-2026, që ka zhvilluar MAPL-ja, që përcakton orientimet strategjike se në cilat drejtime duhet të orientohet qeverisja lokale në 10 vjetët e ardhshme, tha z. Osmani, duke theksuar se ky proces duhet të bazohet në trendet me të mira zhvillimore . “Duhet të kemi parasysh trendët siç janë orientimet e regjionit, teknologjia informative, shërbimet on-line, efikasiteti i administratës, që në të ardhmen orientojnë në numër më të vogël të komunave. Këto katër parime, besoj do të merren parasysh nga qeveria lidhur me trajnimin dhe themelimin e komunave të reja” theksoi, z. Besnik Osmani.
Lidhur me organizmin aktual të qeverisjes lokale, z. Osmani, tha se aktualisht Kosova, ka komuna që nuk kanë qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare, siç janë komunat e vogla rurale, të pazhvilluara ekonomikisht, që të njëjtën kohë, po bëhen barrë e grandeve qeveritare, ndërsa zgjidhja që ka dhënë Strategjia për Vetëqeverise Lokale, është të ketë një ri-disejnim të organizmit fundamental të qeverisjes lokale, duke e vënë theksin në trajtimin e sistemit të qeverisjes lokale në komuna urbane dhe komuna në njësi më të vogla, me shumë se në kuptimin administrativ.
Sipas gjendjes së tanishme, Sekretari Osmani, tha se trendi tregon se do të kemi më pak komuna por që nënkupton themelimin e komunave të reja, por duke marr për bazë Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale dhe legjislacionin aktual që kanë vendosur procedura dhe kritere për themelimin e komunave të reja dhe njëra prej tyre është opinioni i qytetarëve. “ Që të krijohet një komune e re, kërkesë fundamentale është që duhet të pajtohet komuniteti aty, dhe nuk do të jetë kërkesë vetëm e asaj pjese, por duhet të pajtohen edhe qytetarët nga ku do të dalë ajo komunë” tha Sekretari Besnik Osmani.
Gjatë intervistës në RTK, Sekretari Osmani, foli edhe për funksionimin e komunave të reja të krijuara me procesin e decentralizmit, dhe tha se kjo çështje është e përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës, dhe njësitë e qeverisjes lokale bazohen në parimin e subsidiaritetit, duke marrë për bazë shqetësimet e veçanta të komunitetet, të cilat, Kosova i ka plotësuar në mënyrën më afirmative të mundshme me themelimin e pesë komunave me shumicë të komunitetit serb në Kosovë. Ky proces, tha Sekretari Osmani, nënkupton se decentralizmi është shfrytëzuar si një momentum edhe për integrimin e komuniteteve brenda sistemit juridik dhe sistemit të përgjithshëm shoqëror në Kosovë.
Ndërsa, lidhur me funksionimin e tyre, ai tha se disa nga komunat funksionojnë në mënyrë të shkëlqyeshme që evidentohet me raportet vjetore të performancës së komunave, ndërsa, një pjesë prej tyre nuk kanë arritur ta mbajnë veten dhe të kenë qëndrueshmëri stabile, por kjo nuk do të thotë se këto komuna do të falimentojnë në të ardhmen, por këto komuna do të trajtohen në pjesën e politikave fiskale në mënyrën se si do të bëhet financimi i tyre dhe se si ato do ta vazhdojnë funksionimin e tyre. “Ne jemi të detyruar me Kushtetutë dhe ligje të sigurohemi se komunat janë duke ofruar shërbime cilësore për qytetarët që ndodhin përmes organeve të pushtetit lokal, dhe nëse komunat dështojnë t’i të ofrojnë këto shërbime duhet të gjejmë zgjidhje të tjera ligjore” tha z. Osmani .
Se cilat nga komunat kanë avancuar më shumë në funksionim, dhe në cilat komuna është evidentuar ngecje, z. Osmani, tha se kryesisht komunat të cilat janë të mesme dhe të mëdha, që gravitojnë në pjesën ku ekziston një aktivitet më i madh ekonomik, janë komuna që kanë arritur ta kryejnë aktivitetin e tyre shumë mirë, ndërsa komunat që janë shumë periferike, që nuk kanë kapacitet fiskal, njerëzor profesional dhe human, është e pamundur të mbushin boshllëkun e nevojave administrative dhe të krijojnë administratë efektive dhe të marrin përgjegjësinë e implementimit të qindra ligjeve në nivelin lokal. Në mënyrë specifike, ai tha se këto janë komuna të vogla periferike që nuk kanë arritur ta arsyetojnë veten që përfshijnë komunat nga grupi i fundit i themeluar si dhe komuna tjera të trashëguara nga sistemi paraprak.
Lidhur me procesin e rishikimit funksional të komunave, ai tha se Kosova ka obligim që qeverisjen lokale ta trajtojë me pajtim kushtetutën e vendit dhe Ligjin për Kufijtë administrativ, përmes të cilit, për krijimin dhe shuarjen nuk e vendosin Ministria apo Qeveria, por vendos Parlamenti i Kosovës me shumicë te votave sepse Ligji për Kufijtë Administrativ hyn në grupin e ligjeve me interes vital.
Megjithatë, z Osmani, tha se i gjithë procesi i themelimit të komunave të reja, duhet të jetë i mbështetur në disa parime që janë të rëndësishëm për funksionet e komunave, si efikasiteti dhe efeqienca, parimi i transparencës, parimi funksional dhe parimi i stabilitetit dhe i subsidiaritetit. Kjo sipas z. Osmani, nënkupton, se në parim, funksionet dhe kompetencat duhet të jenë të orientuara në konsultim paraprake të pajtimit të qytetareve, që mund ta iniciojë procedurën e themelimit të komunave ose ndryshimin e kufijve administrative të komunave, që bazuar në Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale, një ndryshim i mundshëm i kufijve mund të vijë pas pesë viteve, përveç nëse Qeveria nuk vendos të ndryshojë këtë dokument.
Sekretari Osmani, tha se qëllimi i Qeverisë është që t’i trajtojë kërkesat e të gjithë qytetarëve që adresohen për krijimin e komunave të reja, ndërsa qeverisja lokale në Kosovë, tani, duhet të trajtohet nga këndvështrimi zhvillimor, dhe nuk ka vend për eksperimente të reja, por i gjithë sistemi, duhet të jetë i orientuar në kuadër të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, drejt implementimit në tërësi të Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale dhe obligimet e MSA-së.
“Kosova nuk është në një fazë ku mund të bëj eksperimente të tjera me sistemin e qeverisjen lokale, por ka obligimet e saj karshi Bashkimit Evropian, përmes dokumentit të nënshkruar të MSA-së, që të zbatoj në tërësi Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale, dhe direktivat evropiane, si dokument i trajtuar, nënshkruar dhe dakorduar mes institucioneve të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, andaj çdo kërkesë duhet të trajtohet në kuadër të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian” tha Sekretari Besnik Osmani .