Mamusha dhe Rahoveci presin në takim Kryeministrin Kurti dhe Ministren Redžepi

Prishtinë, 23 prill 2020

Në kuadër të vizitave nëpër komunat e Kosovës lidhur me situatën e krijuar të emergjencës së shëndetit publik nga virusi Corona COVID – 19, Kryeministri i Kosovës z.Albin Kurti i shoqëruar nga Ministrja e MAPL-së znj. Emilija Redžepi, realizuan vizitat e radhës në komunat Mamushë dhe Rahovec, ku u priten nga kryetarët e këtyre komunave, si dhe stafi operativ emergjent.

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Redžepi u njoftuan për së afërmi nga kryetari i komunës së Mamushës z. Abdulhadi Krasnic, respektivisht kryetari i komunës së Rahovecit z. Smajl Latifi lidhur me gjendjen aktuale, sfidat dhe veprimet e ndërmarra nga këto komuna, për zbatimin e masave kundër virusit Corona COVID – 19.

U kërkua që të vazhdohet tutje me respektimin e masave mbrojtëse dhe higjienike, mbajtjen e distancës sociale, pastrimit dhe dezinfektimit të hapësirave, veçanërisht marketeve si vende ku qytetarët kryejnë furnizimet e përditshme, si dhe qëndrimit në shtëpi.

Kryeministri Kurti dhe Ministrja Redžepi i siguruan kryetarët Krasnic dhe Latifi se Qeveria do të vazhdoj të jetë pranë komunave përmes ofrimit të ndihmës së nevojshme me qëllim të tejkalimit të situatës dhe evitimit të problemeve të socio-ekonomike.