Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me ITP Prizren dhe partnerët e projektit EDIH DIG-4K, Kolegjiumit të IT-së në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe përfaqësuesit e komunave organizoi punëtorinë me temën “Digjitalizimi dhe Modernizimi i Administratës Lokale – Nevojat dhe Mundësitë e Bashkëpunimit”.
Në këtë punëtori morën pjesë Zëvendësministri, Agon Batusha dhe Drejtori i Departamentit për Digjitalizimin e Shërbimeve në Komuna, Flurim Arifi.
Gjatë fjalës së tij, Zëvendësministri Batusha theksoi se avancimi i shërbimeve digjitale komunale përbën një drejtim të rëndësishëm të reformimit dhe modernizimit të qeverisjes locale, duke vënë në pah rëndësinë e transformimit digjital në ndërtimin e një administrate publike më efikase, transparente dhe të orientuar drejt qytetarëve, duke me thekst të veçantë se digjitalizimi do të kontribuojë në lehtësimin e procedurave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike.
Përmes diskutimeve dhe punës në grupe, përfaqësuesit e komunave identifikuan nevojat, sfidat dhe fushat prioritare për bashkëpunim në avancimin e shërbimeve digjitale.
Rezultatet e këtij aktiviteti do të shërbejnë në funksion të Objektivit Strategjik 4 të Strategjisë për Vetëqeverisjen Lokale 2027–2031, që synon digjitalizimin, inovacionin dhe modernizimin e administratës lokale.












