Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal/MAPL në bashkëpunim me OSBE-në , organizuan punëtorinë dyditore lidhur me Nxjerrjen, Shqyrtimin dhe Zbatimin e Akteve të Komunave, Plani i Aktiviteteve të MAPL-së për vitin 2012 dhe Aktivitetet e Përbashkëta me OSBE-në për vitin 2012.
08-10 dhjetor 2011
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal/MAPL në bashkëpunim me OSBE-në , organizuan punëtorinë dyditore lidhur me Nxjerrjen, Shqyrtimin dhe Zbatimin e Akteve të Komunave, Plani i Aktiviteteve të MAPL-së për vitin 2012 dhe Aktivitetet e Përbashkëta me OSBE-në për vitin 2012.
Takimin e shpalli të hapur Drejtoresha e Departamentit për Vetëqeverisje Lokale znj. Rozafa Ukimeraj, e cila përshëndeti të pranishmit në sallë dhe ju dëshiroj mirëseardhje. Fjalën ia kaloi Zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Basri Musmurati, i cili tha se miratimi i shumë ligjeve ka ndihmuar zhvillimin e qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës. MAPL është autoritet mbikëqyrës i komunave dhe në këtë drejtim ka shënuar të arritura, mirëpo nevojat dhe sfidat vazhdojnë të na përcjellin. Në takimet që kemi pasur me kryetarë të Komunave dhe kryesues të Kuvendeve të Komunave, kemi nxjerr shumë pika që duhet shtruar në vitin e ardhshëm. Nganjëherë kryetarët e Komunave dhe kryesuesit e Kuvendeve të Komunave kanë tejkaluar kompetencat e tyre. Si MAPL kemi nevojë të futemi më thellësisht në çështje të caktuara dhe duhet të angazhohemi maksimalisht. Po ashtu, këso lloj takimesh ndoshta nuk janë shfrytëzuar dhe aq mirë. Fjalën e morri
z. Agim Salihu, Kryetar i Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjor në Asociacionin e Komunave të Kosovës i cili tha se Asociacioni i Komunave të Kosovës ka dhënë kontribut të vazhdueshëm në fushën e vetëqeverisjes lokale.
Drejtoresha e DVL-së znj.Ukimeraj, falënderoi zv/ministrin e MAPL-së z. Basri Musmurati për kontributin e dhënë, për sugjerimet, këshillat dhe kritikat e dhëna. Gjithashtu znj.Ukimeraj shprehi falënderim edhe për kryetarin e Kolegjiumit të Zyrtarëve Ligjor të AKK-së z. Agim Salihu dhe AKK-në në veçanti, për pjesëmarrjen, gatishmërinë dhe kontributin e dhënë në takimet e organizuara nga MAPL-ja.
z. Arben Fetahu, zyrtar ligjor pranë misionit të OSBE-së në Kosovë, prezantoi të gjeturat nga raportet e misionit të OSBE-së në Kosovë në lidhje me qeverisjen lokale nga periudha mars 2009 e deri në periudhën e muajit dhjetor 2010.
1)Raporti për monitorimin e Kuvendeve të Komunave;
OSBE, në çdo Komunë i ka të vendosur ekipet komunale me nga 4 zyrtarë të cilët rregullisht monitorojnë punën e Kuvendeve të Komunave. Këta zyrtarë përgatitin raporte nga secila mbledhje dhe secila Komunë. Për periudhën mars 2009 e deri në muajin dhjetor 2010, Kuvendet e Komunave kanë mbajtur gjithsejtë 529 mbledhje. Janë shënuar raste kur mbledhjet nuk janë mbajtur të hapura për publikun. Sa i përket të gjeturave, ka pasur progres në respektimin e afateve kohore për thirrje të mbledhjeve. Në anën tjetër shënohet mungesë e publikut në mbledhjet e Kuvendit për shkak të mos interesimit të tyre. Tek çështja e konfliktit të interesit nuk është shënuar ndonjë rast, mirëpo vlen të përmendet se kryesuesi nuk po kërkon paraprakisht nga anëtarët e kuvendit se a ka konflikt të interesit në marrjen e vendimit. Ndërsa, sa i përket mbajtjes së posteve të dyfishta ka përmirësime, ku në tërë Kosovën janë shënuar vetëm 5 raste. Përkthimet verbale, përkthimi dhe publikimet nuk janë në të gjitha gjuhët zyrtare.
Rekomandojmet:
•Komunat t’i përkthejnë dhe t’i publikojnë materialet;
•MAPL-ja të vazhdoj me punën e këshillimit;
•Kryesuesve të Kuvendeve të Komunave duhet t’ju rritet dhe fuqizohet roli, si dhe duhet përkrahur në çështjet administrative, ngase kanë probleme me zyre, vetura, telefon , sekretar/e etj;
•Mbikëqyrja e ekzekutivit nga kuvendet e komunave duhet shtuar;
•Në miratimin e buxhetit, Kuvendi i Komunës duhet shikuar se a i ka kaluar të gjitha procedurat apo hapat, para ardhjes për miratim në Kuvend.
2)Raporti për Raportin mes Autoriteteve Lokale dhe Qendrore në Shqyrtimin e Akteve Komunale
Seksioni për qeverisje lokale ka bërë rivlerësimin e proceseve dhe vlerësimin e 34 komunave. Në raportin e periudhës maj – shtator 2010 janë zhvilluar intervistat e strukturuara me MAPL-në, si dhe është bërë rishqyrtimi i të dhënave. Sa i përket akteve komunale, është duke u bërë projekti për cilësinë e akteve komunale.
Ka përpjekje në mes nivelit lokal dhe qendror përpara se të miratohen aktet komunale, mirëpo duhet theksuar se komunat duhet shtuar shfrytëzimin paraprak për konsultim me MAPL-në, si dhe duhet shfrytëzuar komunikimet alternative.
Përfaqësuesit e Komunave janë prezent në shumicën e mbledhjeve të Kuvendeve të Komunave, me theks të veçantë zyrtarët ligjor. Që 2 vite e me radhë vërehet mungesa e jurisprudencës në shqyrtimin e akteve komunale. Po ashtu, në Komuna ende vërehet mungesa e zyrtarëve që dërgojnë aktet e komunave.
Komunat, rekomandohen që:
•Të bëjnë konsultime paraprake me MAPL-në;
•Të njoftojnë me kohë ministrinë;
•Të konsolidojnë sistemin e komunikimit si dhe listat e akteve komunale;
•Të bëjnë ristrukturimin e zyrave ligjore ngase shumica e komunave nuk kanë zyre ligjore;
•Të përfshihen zyrtarët ligjor në procesin e hartimit të vendimeve.
MAPL, rekomandohet që:
•Të vazhdojë monitorimin e mbledhjeve të Kuvendeve të Komunave;
•Të kthehet me shkrim vlerësimi i ligjshmërisë së akteve komunale qoftë pozitiv ose negativ;
•Të kontestohen aktet e komunave në Gjykata Komunale;
•Të shtohet performanca e komisioneve ndërministrore;
3)Raporti për zhvillimin e procesit të përgatitjes buxhetore në Komuna
Në vitin 2010, Komunat nuk kanë arritur që me kohë t’i përgatitin buxhetet komunale. Në kuadër të metodologjisë së punës, kemi shpërndarë formular për pjesëmarrjen e qytetarëve në Komitete të ndryshme. Ne mund t’i ofrojmë të dhënat për secilën Komunë.
Rekomandimet:
•Të shtohet mbikëqyrja e Kuvendeve të Komunave dhe Ekzekutivit;
•Të ngritën e kapacitetet në Komuna;
•Të mbahen takimet publike;
•Të shtohen përpjekjet për t’i joshur qytetarët për të marrë pjesë në takime publike;
Ndërsa, sa i përket raportit final, ky raport parashihet të jetë i gatshëm në mesin e muajit janar të vitit 2012.
Znj. Rozafa Ukimeraj, Drejtoreshë e DVL-së prezantoj sistemin e monitorimit të Komunave. Ajo theksoi se kemi bërë ri dizajnimin e sistemit të monitorimit. Në çdo Komunë kemi caktuar zyrtarë të monitorimit dhe kemi bërë ndarjen e tyre në rajone për shkak që të mos krijohet subjektiviteti. Komunat kanë adresë se ku të drejtohen në MAPL. Nga parimet bazë është edhe kualiteti dhe sigurimi i informatave. DVL-ja mbanë takime të rregullta me kryetarë të Komunave, me drejtorë të administratave, me kryesues të Kuvendeve të Komunave. Po ashtu, avancimi i sistemit të monitorimit është në zhvillim e sipër, ku në fillim të vitit 2012 do të startojmë me monitorim on-line përmes tele prezencës. Jemi në përgatitje të udhërrëfyesit për sistemin e monitorimit dhe në të do të përfshihen: adresa e dërgimit të akteve të komunave, raportet mujore për dërgimin e akteve nga komunat, raportet periodike për grupet ndër sektoriale, si dhe do të ketë dy lloje të formularit. Do të publikohen buletinet vjetore të vlerësimit të akteve të kundërligjshme të komunave, raportet vjetore të komunave, aktet e komunave, si: statutet, rregulloret, vendimet. Është përgatitur edhe plani periodik i trajnimeve të zyrtarëve të monitorimit.
Z. Xhevat Tafa, shef i Divizionit për Monitorim të Komunave/Departamenti për Vetëqeverisje Lokale në MAPL, vlerësoi se puna e Kuvendeve ka ecur relativisht mirë. Janë evidentuar shkelje të ndryshme ligjore gjatë marrjes së vendimit. Po ashtu, Divizioni i Monitorimit përgatit raporte për tre mujorin e parë, gjashtëmujorin e parë,
tremujorin e tretë dhe raportin vjetor. Në aktivitetet e saj, zhvillon takime me kryetarë të Komunave, kryesues të Kuvendeve të Komunave dhe me Drejtorë të Administratës.
Znj. Rozafa Ukimeraj, Drejtoreshë e Departamentit për Vetëqeverisje Lokale në MAPL, rëndësi dhe prioritet për vitin 2012 i dha këtyre projekteve si: monitorimi i Komunave, performanca e Komunave, avancimi i sistemit të komunikimit, evidentimi i shkeljeve ligjore, udhërrëfyesi, plani i trajnimit të monitoruesve, ligjet sektoriale, programe të trajnimit, bashkëpunimi në mes zyrtarëve të MAPL-së dhe OSBE-së.
Znj. Flutura Hoxha, Udhëheqëse e Divizionit për Zhvillimin e Legjislacionit/ Departamenti Ligjor në MAPL, prezantoi aktivitetet e departamentit, ku ndër më kryesoret përmendi hartimin dhe plotësimin e legjislacionit primar dhe sekondar, hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve administrative etj.
Z. Fatos Qerimi, Udhëheqës i Divizionit të Reformës/Departamenti për Hulumtime dhe Reformë të Pushtetit Lokal në MAPL prezantoi aktivitetet e departamentit për vitin 2012. Ndër çështjet më kryesore që do të shënojnë vitin 2012 janë: procesi i decentralizimit, analiza, reforma e pushtetit lokal, mbështetja e Komunave të reja në ngritjen e kapaciteteve, grupi ndërministror, përgatitje për themelimin e Komunës së Mitrovicës Veriore, bartja e dokumentacionit, hulumtime dhe analiza.
Z. Fatmir Zylfijaj, Zyrtar programatik, Misioni i OSBE-së në Kosovë, theksoi se në OSBE veprojnë 3 departamente, si: Departamenti për demokratizimin e institucioneve, Departamenti për të drejtat e njeriut dhe Departamenti për siguri publike. OSBE, aktivitetet i zhvillon në baza vjetore duke ju përmbajtur strategjisë afatmesme 2012-2014. Objektivat e OSBE-së janë: demokratizimi i shoqërisë civile, mediet, zgjedhjet, monitorimi etj. Ndërsa, qëllimi i OSBE-së për vitin 2012-2015 është që qytetarët të përfitojnë, të ketë llogaridhënie, transparencë dhe sundim të ligjit. Sa i përket prioriteteve të OSBE-së për vitin 2015, mund të përmendim, si: promovimi i institucioneve demokratike, ekzekutivit dhe legjislativit, mediet dhe shoqëria civile. Drejtësia administrative, të ketë komunikim më intensiv në mes Komunave dhe MAPL-së.
KONKLUZIONET DHE REKOMANDIMET E PUNËTORISË
Në përfundim të punëtorisë u nxorën këto konkluzione dhe rekomandime:
• Adresimi i rasteve të kundërligjshme në Gjykatë;
• Rritja e performancës së komisioneve ndërministrore për vlerësimin sektorial të lidhshmërisë së akteve të komunave;
• Avancimi i komunikimit ndërinstitucional;
• Rregullorja për gazetën zyrtare lokale;
• MAPL në bashkëpunim me OSBE-në – Përzgjedhja e 5 Komunave me performancë më të mirë duke marrë për bazë edhe indikatorët matës të sistemit të performancës që ka zhvilluar MAPL;
• Udhëzues për hartimin e teknikave të akteve komunale;
• Botimi i informatorëve për komunat.