Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, ka nisur sot në Prizren promovimin e Strategjisë për Vetëqeverisjen Lokale 2016 – 2026, e cila do të organizohet në kuadër të aktiviteteve për fuqizimin dhe mbështetjen e qeverisjes lokale në Kosovë, ndërsa do të diskutohet me të gjithë akterët relevantë nga niveli qendror, lokal, përfaqësues nga shoqëritë civile, bizneset, mediet dhe grupet tjera të interesit.
15 prill 2016
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, ka nisur sot në Prizren promovimin e Strategjisë për Vetëqeverisjen Lokale 2016 – 2026, e cila do të organizohet në kuadër të aktiviteteve për fuqizimin dhe mbështetjen e qeverisjes lokale në Kosovë, ndërsa do të diskutohet me të gjithë akterët relevantë nga niveli qendror, lokal, përfaqësues nga shoqëritë civile, bizneset, mediet dhe grupet tjera të interesit.
Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram Gecaj tha se Strategjia për Vetëqeverisje Lokale është një punë afatgjate e MAPL-së e cila ka adresuar kërkesat për avancim të rolit dhe funksionit të pushtetit lokal në zhvillimin e shtetit dhe shoqërisë në përgjithësi, duke shtuar se komunat kanë një numër të konsiderueshëm të kompetencave të cilat të përcaktuara me legjislacion, ato gjatë procesit të konsolidimit dhe reformimit të pushtetit lokal, janë përballur me vështirësi në aspektin politik, ligjor, sistemor, organizativ, territorial, ekonomik, financiar, administrativ, pronësor dhe çështje tjera. Për të trajtuar të gjitha pengesat që kufizojnë komunat në konsolidimin e demokracisë lokale, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si dikaster përgjegjës për pushtetin lokal, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka hartuar Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026 dhe Planin e Veprimit 2016-2026, theksoi Zëvendësministri Gecaj . “Problemet e theksuara në komuna ndër vite kanë reflektuar nevojën për ndryshime thelbësore në kontekst të menaxhimit të punëve publike, menaxhimit efikas financiar dhe aftësisë për absorbimin e kërkesave të qytetarëve, të cilat do të ndikonin në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zhvillimit të gjithëmbarshëm shoqëror”, tha Zëvendësministri Bajram Gecaj.
Prezantimin e Strategjisë për Vetëqeverise Lokale, e bëri znj. Rozafa Ukimeraj, u.d. e Sekretares së Përgjithshme në MAPL, e cila tha se SVL i ka paraprirë analiza rreth sfidave me të cilat përballen komunat, që janë identifikuar me mungesë të resurseve financiare për ushtrimin e kompetencave, vështirësitë në unifikimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale në shkallë vendi, ndryshimet në sistemin e vetëqeverisjes lokale, dobësimi i vijës ndarëse ndërmjet stafit politik dhe civil në Komuna.
Në relacion me sfidat e komunave, znj. Ukimeraj, tha se mungesa e memories institucionale në nivel më të lartë hierarkik në administratën komunale dhe mungesa e kontrollit dhe balansit ndërmjet pushteteve, janë identifikuar si sfida që pengojnë në mënyrë direkte funksionimin e qeverisjes lokale jo vetëm në aspektin organizativ por edhe në ofrimin e shërbimeve sa më efikase për qytetarët.
Gjatë prezantimit të Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale, znj. Ukimeraj, theksoi pesë objektiva që MAPL synon ti realizoj bashkë me institucionet tjera gjatë dhjetë vjetëve të ardhme që përfshijnë: rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale e komunave për të siguruar që politikat zhvillimore dhe financiare të ndikojnë në zhvillimin ekonomik lokal, krijimin e një kornize për qeverisje të mirë për të siguruar përfaqësimin demokratik të qytetarëve dhe administratë efikase komunale, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale të organeve të vetëqeverisjes lokale, forcimin e partneriteteve ndërmjet pushtetit lokal, shoqërisë civile dhe bizneseve për të krijuar një qytetari aktive, gjithëpërfshirëse dhe kohezive, promovimin e vlerave të trashëgimisë dhe diversitetit kulturor, natyror dhe social me qëllim të afirmimit dhe zhvillimit social, ekonomik dhe kulturor në komuna.
Në diskutimet për Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale morën pjesë edhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Ramadan Muja, Kryetari i Komunës së Dragashit, z. Salim Januzaj , Kryetari i Komunës së Suharekës, z. Sali Asllanaj , të cilët mirëpritën miratimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale dhe gjithashtu adresuan sfidat dhe problemet me të cilat po përballën aktualisht komunat e Kosovës.
Ndërsa lidhur me rëndësinë e Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale, folën edhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, z. Christopher Touch, Drejtor i Departamentit për Demokratizim në OSBE, përfaqësuesi nga Komisioni Evropian, z. Damian Sedar, dhe përfaqësues të UNDP-së.
Diskutimet për promovimin e strategjisë për Strategjinë Vetëqeverisje Lokale do të vazhdojnë me të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë regjionin e Mitrovicës, Pejës, Gjilanit dhe Prishtinës.