Me rastin e përfundimit të vitit 2015, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në prani të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, organizoi ceremoninë e përbashkët me kryetarët e komunave, përfaqësuesit diplomatik, komunitetin e donatorëve, shoqërinë civile dhe mediat.
23 dhjetor 2015, Prishtinë
Me rastin e përfundimit të vitit 2015, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në prani të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, organizoi ceremoninë e përbashkët me kryetarët e komunave, përfaqësuesit diplomatik, komunitetin e donatorëve, shoqërinë civile dhe mediat.
Kryeministri i Kosovës, z. Isa Mustafa, në fjalimin e tij përshëndetës ka vlerësuar si një moment mjaft të rëndësishëm përmbylljen me sukses të këtij viti të punës në të gjitha fushat, përfshirë edhe në pushtetin lokal.
“Është hera e parë që ne kemi arritur që të kemi të gjitha komunat tona dhe kryetarët e komunave së bashku me ne në tërë territorin e Republikës së Kosovës, që të punojmë bashkërisht, në shërbim të qytetarëve tanë, në shërbim të zhvillimit lokal, në shërbim të zhvillimit ekonomik, me qëllim themelor që të bëjmë më të mirë jetën për qytetarët”, tha kryeministri.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, tha se MAPL-ja ka bërë një punë shumë të mirë, duke vënë një bazë të mirë të ndërtimit të pushtetit lokal dhe të funksionimit të pushtetit lokal në tërë vendin.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal z. Ljubomir Maric tha se bazuar në kompetencat dhe mandatin ligjor, në koordinim me ministritë e linjës, komunat, shoqërinë civile dhe institucionet e tjera përgjegjëse ka hartuar Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026 dhe Planin e Veprimit për të njëjtën periudhë. Ministri Maric tha se qëllimi kryesor i kësaj strategjie është përcaktimi i orientimeve kryesore për dhjetë vitet e ardhshme në drejtim të thellimit të reformave për avancimin e vetëqeverisjes lokale në Kosovë. Strategjia ka 5 objektiva kryesore të cilat synojnë të krijojnë kushte për zhvillim ekonomik lokal, administratë efikase dhe profesionale, partneritet të qëndrueshëm me qytetarë dhe forcimin e demokracisë lokale.
“Gjatë procesit të bisedimeve në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë, MAPL ka prodhuar një seri të dokumenteve për të ndihmuar ekipin negociator gjatë procesit të bisedimeve ndërmjet palëve, si rezultat i të cilave janë nënshkruar marrëveshjet që sigurojnë integrimin më të shpejtë të komunave me shumicë serbe” tha Ministri Maric.
Gjatë kësaj periudhe, Ministri Maric tha se është dhënë kontributi për ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe resurseve humane në nivel lokal, përmes: realizimit të programeve të trajnimeve, ofrimit të dokumenteve shpjeguese, këshillave juridike, investimeve në projekte të shumta kapitale përfshirë infrastrukturën publike, si dhe formave të tjera të bashkëpunimit.
“Miratimi i 3 programeve të bashkëpunimit ndërkufitar për periudhën 2014-2020 me tre shtetet fqinje Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi, si dhe finalizimi i marrëveshjeve të partneritetit dhe kontratave për zbatimin e këtyre programeve të mbështetura nga Komisioni Evropian, kanë qenë rezultatet kryesore të MAPL-së në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar me shtetet fqinje” theksoi Ministri Maric .