Me rastin e prezantimit të raportit Ministria e Administrimit të Pushtetit organizoi tryezën profesionale “Progresi në themelimin dhe ndërtimin e komunave të reja”… Prishtinë, 15 shkurt 2011
Me rastin e prezantimit të raportit Ministria e Administrimit të Pushtetit organizoi tryezën profesionale “Progresi në themelimin dhe ndërtimin e komunave të reja”.Tryezën e hapi Zv. ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Raif Elezi, me ç’rast përshëndeti të pranishmit dhe theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj tryeze duke u fokusuar tek puna e Grupit për themelimin e komunave reja.
"Ky proces në përgjithësi ka qenë pozitiv, duke rezultuar me themelimin e të gjitha Ekipeve Përgatitore Komunale (EPK), si dhe me përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor të mbajtur më 15 nëntor 2009, respektivisht me 20 qershor 2010 në Partesh.Në këto zgjedhje pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë thelbësore që bëri të mundur zgjedhjen e organeve demokratike në Komunën e Graçanicës, Kllokotit, Ranillugut, Parteshit si dhe zgjerimin e Komunës së Novobërdës. Në vijim Ekipi Përgatitor i Mitrovicës Veriore është duke vazhduar punën në përgatitjen për themelimin e komunës së re dhe vazhdon të ketë nevojë më shumë se kurrë për përkrahje konkrete”, u shpreh Z. Elezi.
Më pas zëvendësministri Elezi përmendi edhe realizimin e projekteve kapitale në komuna e reja, projekte këto që kanë ndikuar në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe jana ofruar shërbime më të mira për ta.
"Në vitin që lam pas në këto komuna janë realizuar shumë projekte kapitale që kanë ndryshuar cilësinë e jetës së qytetarëve dhe janë ofruar më shumë shërbime administrative afër shtëpive të tyre të banimit. Duhet nënvizuar me këtë rast vullnetin e kryetarëve të komunave amë që kanë inkurajuar dhe punuar që ky proces të realizohet me sukses. Ky proces momentalisht është jo i plotë në pjesën veriore të vendit tonë, ne veçanti mendoj për Mitrovicën e veriut dhe në këtë drejtim duhet ët angazhohemi në veçanti për krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve dhe krijimin e institucioneve komunale, ku funksionon në mënyrë të plotë sistemit juridik”, theksoi zv. Ministri Elezi.
Një prezantim të raportit “Progresi në themelimin dhe zhvillimin e komunave të reja”, e bëri Avni Sahiti, drejtor i departamentit për hulumtime dhe reformë të pushtetit lokal.
"Nëngrupi punues për themelimin e Komunave të reja ka pasur për qëllim të bëjë përgatitjet për themelimin e Komunave të reja. Ky proces në përgjithësi ka qenë pozitiv, duke rezultuar me themelimin e të gjitha Ekipeve Përgatitore Komunale (EPK), si dhe me përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor të mbajtur më 15 nëntor 2009” – u shpreh z. Sahiti.
I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe Besnik Tahiri, drejtor i Institutit për Qeverisje Lokale. Ai tha se edhe 2 vite e gjysmë pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës dhe 1 vit pas themelimit të komunave të reja, qeverisja lokale është shumë substancionale.
"Konstatojmë se ky proces ka qenë qendra reformuese që ka ndodhë në qeveri , kemi pasur një zhvillim të avancuar, por kemi pasur edhe sfida, rreziqe përgjatë këtij procesi. 15 nëntori 2009, tregoi së në tri komunat pati një dalje të kënaqshme të komunitetit serb dhe kështu u rrëzuan paragjykimet e të tjerëve se a duhet të dalin në zgjedhje apo jo” – u shpreh Besnik Tahiri, drejtor i i institutit për Qeverisje Lokale.
Tryeza “Progresi në themelimin dhe ndërtimin e komunave të reja” u realizua në kuadër të diskutimeve të përbashkëta në lidhje me themelimin e komunave të reja në Kosovë përfshirë këtu progresin dhe sfidat që e karakterizojnë këtë proces.
Raporti i përgatitur nga MAPL prezanton informata të rëndësishme të themelimit të komunave të reja Gracanicë, Ranillug, Kllokot , Partesh, zgjerimi i komunës së Novobërdës dhe aktivitete të Ekipit Përgatitor të Mitrovicës.