Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me USAID,përkatësisht projekti Iniciativa Për Komuna Demokratike Dhe Efektive, kanë organizuar takim me qëllim të prezantimit të dokumentit “Udhëzues për Përgatitjen e Planeve Vjetore të Kuvendit të Komunës”.
18 qershor 2013, Prishtinë
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me USAID,përkatësisht projekti Iniciativa Për Komuna Demokratike Dhe Efektive, kanë organizuar takim me qëllim të prezantimit të dokumentit “Udhëzues për Përgatitjen e Planeve Vjetore të Kuvendit të Komunës”. Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila gjatë procesit të hartimit të dokumentit ka asistuar me këshillime ligjore dhe profesionale.
Kontribut të çmuar në finalizimin e këtij dokumenti kanë dhënë edhe komunat, përkatësisht zyrtarët komunal të cilët me propozimet e tyre kanë bërë që të zhvillohet një dokument-Udhëzues për procedurat dhe rregullat e hartimit të Planeve Vjetore të Punës së Kuvendeve të Komunave.
Në fjalën e tij, z. Agron Maxhuni Udhëheqës i Departamenti Ligjor dhe Monitorim të Komunave në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, prezantoi rëndësinë e hartimit të Planeve Vjetore të Punës së Kuvendeve të Komunave, si dhe rëndësinë e Udhëzuesit të publikuar përmes së cilit jepen të gjitha detajet rreth procedurave, rregullave dhe kritereve për përgatitjen e këtyre Planeve. Sipas tij, ky Udhëzues, kuvendeve të komunave u sqaron veprimet të cilat duhet të ndërmarrin për përmbushjen e obligimeve ligjore lidhur me zbatimin e legjislacionit në fuqi, përkatësisht planifikimit me kohë të detyrave në kompetencë të tyre.
Po ashtu, ai tha se kuvendet e komunave duhet me kohë të parashikojnë nxjerrjen e rregulloreve komunale, për të cilat në mënyrë shprehimore obligojnë ligjet, si dhe të planifikojnë harmonizimin e rregulloreve me ndryshimet e pasuara të legjislacionit primar.
Në këtë drejtim, z. Maxhuni shtoi se gjatë procedurës së hartimit të Planit Vjetor të Punës, kuvendet e komunave duhet të sigurojnë bashkëpunim me të gjitha njësitë e brendshme komunale, drejtoritë e komunave, zyrtarët ligjorë, zyrtarët e tjerë profesional, qytetarët dhe grupe të tjera të interesit, në mënyrë që të ketë një planifikim sa më adekuat. Përmes këtij procesi, kuvendet e komunave do të sigurojnë një mbikëqyrje më cilësore gjatë zbatimit të politikave komunale nga ekzekutivi i komunës, dhe rekomandoi që në Planet e Punës së Kuvendeve të Komunave të përfshihen edhe implikimet buxhetore, në mënyrë që aktivitetet e planifikuara të jenë të zbatueshme.
Në këtë takim, u prezantuan edhe praktikat e tri komunave lidhur me procesin e hartimit të Planeve Vjetore të Punës, ndërkohë diskutimi u përqendrua kryesisht për rëndësinë e hartimit të Planeve të punës së kuvendeve të komunave. Sa i përket kualitetit të Udhëzuesit nuk u dha asnjë vërejtje nga të pranishmit, ndërkaq kryesuesit e kuvendeve të komunave kërkuan që iniciativa të ngjashme të pasojnë edhe në të ardhmen.