Ljubomir Maric: Jam i vetëdijshëm për vështirësitë financiare dhe kufizimet buxhetore që mund të kenë komunat, por sidoqoftë, bashkërisht me strukturat lokale do të bëjmë përpjekjet maksimale që të mbështesim iniciativat lokale që ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve
28 prill 2016, Prishtinë
Ljubomir Maric: Jam i vetëdijshëm për vështirësitë financiare dhe kufizimet buxhetore që mund të kenë komunat, por sidoqoftë, bashkërisht me strukturat lokale do të bëjmë përpjekjet maksimale që të mbështesim iniciativat lokale që ndikojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve
Në kuadër të mandatit dhe obligimeve ligjore për monitorimin e punës së Komunave të Kosovës, në takimin me kryetarët e Komunave, Kryesuesit e Kuvendeve të Komunave, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, publikoi raportin e Monitorimit të Komunave për vitin 2015.
Në fjalën e tij hyrëse, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Ljubomir Maric tha se sikurse në vitet e mëparshme, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është përkujdesur që të garantojë një funksionim të gjithëmbarshëm të komunave, duke synuar rritjen e cilësisë së punës së organeve komunale dhe ofrimit të shërbimeve publike komunale sa më afër qytetarëve.
Ministri Maric tha se gjatë vitit 2015 komunat kanë realizuar aktivitetet e tyre me qëllim të përmbushjes së obligimeve për ushtrimin e kompetencave komunale, të cilat adresojnë çështjet e zhvillimit të përgjithshëm të politikave në nivel lokal dhe që reflektojnë drejtpërsëdrejti në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, ndërsa është inkurajues fakti që në vitin 2015, kemi ulje të shkeljeve ligjore nga organet komunale, në raport me vitet paraprake.
“Komunat në përgjithësi kanë arritur të përmbushin obligimet e tyre ligjore për mbajtjen e mbledhjeve të kuvendeve të komunave, duke vazhduar kështu me trendin pothuajse të njëjtë edhe në krahasim me vitin e kaluar, ndërsa, në aktivitetet legjislativ Komunat kanë pasur një performancë shumë të mirë ku gjatë vitit 2015 janë miratuar pothuajse 2000 akte të rëndësishme komunale”, tha Ministri Ljubomir Maric.
Pavarësisht nga të arriturat, Ministri Maric, tha se ekziston ende një numër i vogël i komunave të cilat kanë përsëritur edhe këtë vit një numër të caktuar të shkeljeve ligjore dhe mos respektimit të kërkesa për rishqyrtim. “ Shfrytëzoj rastin që t’iu inkurajoj që së bashku të zvogëlojmë nivelin e shkeljeve ligjore në vitin tjetër, MAPL-ja si një dikaster përgjegjës për pushtetin lokal ju fton që të përdorni mekanizmat ligjor të konsultimit paraprak, të garantuar me ligjin për vetëqeverisje lokale, në mënyrë që të mos merremi me pasojat e veprimeve por të jemi në gjendje që paraprakisht, para se të merren vendime të caktuara, të përmirësohen ato, porositi kryetarët e Komunave, Ministri Ljubomir Maric.
Gjatë prezantimit të raportit të raportit të monitorimit të komunave Ministri Maric foli edhe për Strategjinë për Vetëqeverisje Lokale ka vendosur kornizat e politikave zhvillimore për reformën e pushtetit lokal për dhjetë vjetët e ardhme ndërsa ju bëri thirrje komunave për një angazhim të përbashkët për implementimin e strategjisë për vetëqeverisjen lokale si dhe implementimin e rekomandimeve të raportit të vitit 2015, në mënyrë që raportet tjera vlerësuese të tregojnë një performancë akoma më të mirë për komunat.
“Jam i vetëdijshëm për vështirësitë financiare dhe kufizimet buxhetore që mund të kenë komunat, por sidoqoftë, bashkërisht me strukturat lokale do të bëjmë përpjekjet maksimale që të mbështesim iniciativat lokale që ndikojnë drejtëpërsëdrejti në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve” tha Ministri Ljubomir Maric.
Raporti i Monitorimit të Komunave për vitin 2015 përmbledhë përparimet dhe sfidat e komunave gjatë realizimit të obligimeve ligjore, ofron rekomandime konkrete për përmirësimin e punës së tyre, bëhen krahasime lidhur me performancën e komunave në kuadër të ushtrimit të përgjegjësive të caktuara, si dhe pasqyrohen rastet e shkeljeve ligjore gjatë procesit të nxjerrjes së akteve juridike të komunave.
Raporti i monitmorimit të punës së Komunave, si një dokument vlerësues për monitorimin e komunave, përmban informacionin mbi funksionimin e 38 komunave të vendit për vitin 2015. Përmes këtij raporti paraqiten aktivitetet e komunave të bazuar në një proces monitorues të realizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në mënyrë që pasqyrimi i aktiviteteve nga ky raport të ketë për qëllim informimin e qytetarëve, institucioneve relevante, por edhe vetë komunave.
Për më shumë informata rreth raportit kliko në linkun:
http://mapl.rks-gov.net/getattachment/edab4d4a-ea48-4b06-8d0e-a85e0b4b3345/RAPORTI-VJETOR-I-MONITORIMIT-TE-KOMUNAVE–Janar-Dh.aspx