Sot, në ambientet e Qeverisë së Kosovës, organizuar nga Task Forca e Ujërave (ZKM), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e… Prishtinë, 07 qershor 2011
Sot, në ambientet e Qeverisë së Kosovës, organizuar nga Task Forca e Ujërave (ZKM), Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës u mbajt konferenca me temën “Roli i Komunave në Sektorin e Shërbimeve të Ujit”.
Duke nënvizuar se uji i pijshëm nuk duhet të trajtohet si një pasuri e pashtershme, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic, theksoi se MAPL do të ofrojë mbështetje të vazhdueshme për qeveritë komunale në mënyrë që të avancohet edhe më tej sektori i shërbimeve të ujit.
"Procesi i mbrojtjes së ujërave natyrore tashmë ka filluar, dhe situata aktuale e furnizimit me ujë të pijshëm është më e mirë. Megjithatë, në disa komuna ende kemi sfida të cilat kërkojnë përkushtim të shtuar dhe koordinim midis akterëve relevant në përputhje me objektivat strategjike qeveritare”, tha ai.
Më tej në konferencë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, z. Besim Beqaj tha se duhet patjetër që të rritet niveli i bashkëpunimit midis komunave dhe kompanive të përfshira në sektorin e ujit me qëllim që shërbimet që u ofrohen qytetarëve të jenë më të mira.
"Aspekti i menaxhimit të sektorit të shërbimeve të ujit është segment shumë i rëndësishëm dhe i cili kërkon angazhim të veçantë”, theksoi ai.
Gjithashtu, në këtë konferencë, përveç prezantimit të z. Guido Beltrani, zëvendësdrejtor i Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran në Kosovë, vlerësimet e tyre në rrafshin komunal paraqitën edhe kryetarë të komunave të Kosovës. Ata shprehën gatishmërinë maksimale për të ndikuar në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, veçanërisht duke avancuar sektorin e shërbimeve të ujit si komponentë vitale për jetë.