Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrinë për Integrim Evropian, si dhe në mbështetje të Organizatës Qeveritare Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, me datë 22 qershor 2016 mbajti konferencën e dytë informuese me komunat e rajonit të Pejës, me temë “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit Kosovë – BE dhe zbatimi i saj”. 28 qershor 2016
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Ministrinë për Integrim Evropian, si dhe në mbështetje të Organizatës Qeveritare Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar GIZ, me datë 22 qershor 2016 mbajti konferencën e dytë informuese me komunat e rajonit të Pejës, me temë “Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit Kosovë – BE dhe zbatimi i saj”.
Qëllimi i kësaj konference ishte që të diskutohet për rëndësinë e MSA-së, hapat që do të ndërmerren në drejtim të zbatimit të saj, si dhe për rolin dhe detyrimet e Komunave të Kosovës që kanë në kontekst të përmbushjes së obligimeve nga agjenda evropiane.
Hapja solemne e konferencës informuese është bërë nga zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Bajram, Gecaj, zëvendësministri i Integrimit Evropian, z. Ramadan Ilazi, si dhe ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Kosovë znj. Gerrie Williems. Më tej, përpara të pranishmëve zëvendësministri i MAPL-së z. Gecaj theksoi se “Përmbushja e obligimeve që dalin nga agjenda e përgjithshme e Bashkimit Evropian për Kosovën, nuk duhet ta kuptojmë si detyrim të Kosovës ndaj BE-së, mirëpo si detyrim yni ndaj qytetarit dhe shtetit, sepse përmbushja e këtyre obligimeve siguron një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, rezulton me mirëqenie më të mirë sociale dhe garanton një shtet ligjor dhe demokratik, kështu arrijmë të kapim si shtet vlerat më demokratike të Bashkimit Evropian”.
Të pranishmit diskutuan për përfitimet nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit Kosovë – BE dhe zbatimit të saj, me theks të veçantë tek kriteri ekonomik. Po ashtu, u potencua edhe rëndësia e Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së i cili fokusohet në tre aspekte strategjike të anëtarësimit të Kosovës BE e që lidhen me përmbushjen e detyrimeve të MSA-së, përafrimin e legjislacionit vendas me Acquis të BE-së, si dhe zbatimin e legjislacionit të përafruar – përmes avancimit të politikave, reformave institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve.
Pjesa e dytë e konferencës ka vijuar me prezantimin e z. Artan Çollaku, Udhëheqës i Departamentit për Koordinim të Procesit të Stabilizim Asociimit në MIE, me temë “Detyrimet dhe përfitimet politike dhe ekonomike që dalin nga MSA”, si dhe z. Yll Valla, U.D. i Udhëheqësit të Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave në MAPL, me temë “ Obligimet e komunave nga agjenda evropiane për vitin 2016”.