Është hapur në qendër të Prishtinës “Shtëpia për Bashkëpunimin Ndërkufitar”, shtëpi e cila do të jetë në shërbim të komunave, organizatave të shoqërisë civile, studentëve, si dhe akterëve të ndryshëm, me qëllim të njoftimit dhe informimit të tyre lidhur me konceptin dhe idenë e funksionimit dhe zbatimit të programeve të bashkëpunimit ndërkufitar.
Z. Elbert Krasniqi, Ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal theksoi se “Ndjehem i lumtur që vendet tona çdo ditë e më shumë janë duke e fuqizuar koordinimin dhe bashkëpunimin ndërshtetëror për fqinjësi të mirë, në kontekst të përmirësimit të shumë fushave të përbashkëta, duke u nisur nga aspekti i nxitjes së marrëdhënieve për zhvillim ekonomik dhe social, uljes së pabarazisë në zonat e thella ndërkufitare, zhvillimit dhe promovimit të turizmit, mbrojtjes së mjedisit, trashëgimisë kulturore dhe natyrore e deri tek sigurimi dhe lehtësimi i qasjes së qytetarëve të këtyre zonave në marrjen e shërbimeve, të cilat nxisin dhe forcojnë kohezionin social ndërmjet vendeve”. Gjithashtu, Ministri Krasniqi theksoi se “Një koncept i tillë i shtëpisë së BNK-së do të shërbejë edhe si model i suksesshëm për tu aplikuar edhe tek vendet e rajonit. Ne jemi të sigurt se bashkëpunimi i mëtejmë ndërshtetëror me ndihmën e Bashkimit Evropian, do të sjellë arritjen e rezultateve të reja, me perspektivë zhvilluese dhe sukses të garantuar”.

Z. Tomáš Szunyog -Shefi i Zyrës së BE / Përfaqësues Special i BE-së, theksoi rëndësinë dhe rolin e Shtëpisë së Bashkëpunimit Ndërkufitar në Prishtinë, e cila do të shërbej si një pikë e përbashkët koordinimi midis të gjitha Programeve IPA BNK në të cilat merr pjesë Kosova, por gjithashtu do të siguroj qasje më të lehtë në informacion për të gjithë aplikantët e mundshëm. “Në mesin e këtyre programeve u realizuan shumë projekte dhe shumë janë në vazhdim. Përveç rezultateve, projektet e bashkëpunimit sjellin burime financiare tek autoritetet lokale, dhe përveç kësaj, ato lejojnë transferimin e njohurive dhe përvojave përtej kufijve”.

Ambasadori Szunyog shpjegoi se skema e grantit për Bashkëpunim Ndërkufitar ka pasur ndikim në inkurajimin e komunikimit, rritjen e besimit dhe iniciativave ndërmjet njerëzve në rajonin ndërkufitar, duke mbështetur veprime të përbashkëta që ndërtojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe marrëdhënie të mira fqinjësore, “thënë shkurt, këto projekte të bashkëpunimit ndërkufitar po e bëjnë jetën e përditshme të komuniteteve në secilën anë të kufijve më të mirë dhe më të lehtë. BE në Kosovë do të vazhdojë të mbështesë institucionet e Kosovës në përpjekjet e tyre në zbatimin e reformave, zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin drejt integrimit në Bashkimin Evropian “.
Z. Goran Milevski – Ministër i Vetëqeverisjes Lokale të Maqedonisë së Veriut tha “Kjo Shtëpi do ofroj një gamë të gjerë të shërbimeve në një vend të vetëm për të gjithë operacionin e BNK-së në Kosovë dhe si rrjedhojë Maqedonia e Veriut si një vend partner do të përfitojë duke mbështetur aplikantët e mundshëm nga Maqedonia e Veriut në krijimin e partneritetet përtej kufirit. Bashkëpunimi dhe zhvillimi rajonal janë ndër përgjegjësitë kryesore të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe programet ndërkufitare dhe INTERREG janë një pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë sonë për zhvillimin rajonal ”.
Znj. Zorka Kordic, Kryenegociatore dhe NIPAC Mali i Zi tha “Edhe pse veprimet e BNK-së nuk synojnë të zgjidhin sfida të mëdha sistematike dhe ekonomike, me mbështetjen e tyre për veprime pilot inovative dhe duke siguruar një platformë të hapur për shkëmbimin e njohurive, ata megjithatë vijnë dhe na udhëheqin drejt ndryshimeve, të cilat nxisin reforma dhe forcojnë institucionet tona. Sipas mendimit tim, intensifikimi i kontakteve midis institucioneve, zyrtarëve dhe stafit të Ballkanit Perëndimor, dhe si rrjedhojë bashkëpunimi i tyre i suksesshëm me Shtetet Anëtare të BE-së dhe institucionet e BE-së, është një nga arritjet më të shquara të bashkëpunimit ndërkufitar. Pikërisht për këtë jam e kënaqur që kjo iniciativë e vlefshme e Shtëpisë së BNK-së ka arritur të realizohet, si një përpjekje e bërë në drejtim të përgatitjes dhe zbatimit efikas të programeve të BNK-së ”.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropë dhe Punë të Jashtme tha “Programi i IPA për BNK Shqipëri – Kosovë përfaqëson një nga programet më të rëndësishme në të cilën Shqipëria merr pjesë. Natyra specifike e këtij programi është se kërkon përpjekje të përbashkëta për të zbatuar aktivitete të përbashkëta që synojnë përmbushjen e objektivave të programit, përparësitë dhe masat, si dhe kërkon një koordinim dhe komunikim efikas dhe në kohë nga të dy Strukturat Operative, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, të mbështetur nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë “.
Programet e bashkëpunimit ndërkufitar financohen nga BASHKIMI EVROPIAN përmes instrumentit të para-anëtarësimit, të njohur si IPA.