Mbahet ceremonia e lansimit të aplikacionit për kërkesa të qytetarëve dhe identifikimin e deponive ilegale “ ndreqe.com”

4 prill 2018, Prishtinë

Sot, 4 Prill 2018, MAPL në bashkëpunim me Qeverinë Gjermane përmes “Deutsche Gesellschaft fur internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH”, organizoi ceremoninë e lansimit të aplikacionit për kërkesa të qytetarëve dhe identifikimin e deponive Ilegale “ndreqe.com”.

Hapja e ceremonisë është bërë nga znj. Rozafa Ukimeraj, Sekretare e Përgjithshme në MAPL, vlerësoi kontributin dhe mbështetjen e GIZ, ndërsa për platformën ndreqe.com theksoi se është një mundësi më shumë për qytetarët që të adresojnë kërkesat e tyre në raport me komunat, me qëllim të përmirësimit të shërbimeve komunale dhe rritjes së llogaridhënies publike.

Rezultatet nga platforma ndreqe.com do të përdoren me rastin e vlerësimit të performancës komunale dhe ndarjes së fondeve për komunat në dy skemat: skema e granteve bazuar në performancë, bashkëfinancim me SDC/DEMOS si dhe grantit stimulues për komuna.

Platforma të tilla krijojnë një lidhje sistemesh duke formuar një trekëndësh funksional “Qytetarë – Komunë – MAPL”, i cili siguron adresimin më të shpejtë të kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, si dhe njëherësh rritë vigjilencën e institucioneve komunale për të reaguar ndaj këtyre problemeve”.

Platforma ka për qëllim rritjen e llogaridhënies së komunave përball qytetarëve dhe përmirësimin e shërbimeve komunale. Gjithashtu, platforma do të përdoret si një nga rezultatet për indikatorët e matjes së performancës komunale, të integruar përmes sistemit të intranetit dhe faqeve elektronike zyrtare të komunave, duke i mundësuar komunave përfitimin nga skemat e granteve stimuluese që ka disajnuar MAPL dhe DEMOS.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë znj. Albena Reshitaj, Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila konfirmoi angazhimin institucional dhe mbështetjen për komunat sa i përket adresimit të sfidave për ambientin. Poashtu, Kryetari i Prizrenit, z.Mytaher Haskuka, prezantoi përvojën e komunës sa i përket përdorimit të platformës ku theksoi rëndësinë e përdorimit të saj me qëllim të adresimit të kërkesave të qytetarëve në kohë reale. Edhe përfaqësuesi nga GIZ , Kai Hofman,  theksoi se GIZ do të vazhdojë të mbështesë komunat në permirësimin e shërbimeve të tyre, posacërisht në sektorin e mënaxhimit të mbeturinave. Prezantimi i platformës është bërë nga përfaqësuesit e organizatës Democracy Plus.