27 Qershor 2018, Prishtinë,
Është mbajtur konferenca e donatorëve me temë “Përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve në 16 komunat partnere të programit AKT LS”. Në këtë konferencë janë prezantuar projektet e komunave partnere të programit AKT LS USAID : Graçanicë, Kllokot, Novobërdë, Parteš/Partesh, Ranillug, Shtërpcë, Gjilan, Istog, Klinë, Obiliq, Pejë, Vushtrri, Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së znj. Rozafa Ukimeraj së pari, u dëshiroi suksese për projektin dhe theksoi se “Padyshim dua të vlerësoj lartë angazhimin dhe kontributin e vazhdueshëm të USAID-it, që përmes formave të tilla të mbështetjes po i kontribuon qeverisjes efektive, forcimit të kapaciteteve institucionale të komunave, integrimit të komuniteteve, forcimit të bizneseve dhe kushteve për zhvillim ekonomik në vend. Unë do të doja të theksoj se këto programe krijojnë kushte që pushteti lokal të përbëjë një forcë vepruese për zhvillimin e jetës në komunitet, prandaj përkrahja dhe formësimi i strukturave komunale duhet të ndodh pa reshtur. Është domosdoshmëri e kohës që qeverisja lokale të ndërtohet mbi bazën e një komunikimi të shëndoshë, të burojë nga opinioni i qytetarëve dhe të jetë e aftë të formësoj në mënyrë të drejtë kërkesat e tyre”.