Prishtinë, 17 qershor 2022
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile sot kanë mbajtur takimin e Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale. Takimi kishte për qëllim diskutimin lidhur me temat të cilat ndikojnë në avancimin e qeverisjes lokale dhe që ndërlidhen me punën, misionin dhe fushëveprimtarinë e ministrisë dhe të organizatave të shoqërisë civile.
Në kuadër të këtij takimi znj. Venera Çerkini zëvendës sekretare e përgjithshme në MAPL nënvizoi rolin e Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale dhe kontributin e tyre gjatë këtyre viteve qoftë përmes avokimit apo pjesëmarrjes në grupe punuese në kuadër të MAPL-së dhe që vazhdojnë të jenë aktive në fusha të ndryshme të qeverisjes lokale.
Gjithashtu, ajo theksoi se forumi së bashku me grantin e performancës është përmendur si progres në kuadër të Raportit të Progresit për Vendin në vitin 2021 nga ana e Komisionit Evropian, gjë që tregon një ‘storie suksesi’ dhe model edhe për institucionet tjera.
Gjatë takimit u diskutuan edhe temat rreth themelimit dhe funksionimit të këshillave lokal në komuna, vlerësimi ex-post i ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale dhe projekt udhëzimi administrativ për bashkëpunim ndërkomunal dhe demokraci lokale.
Ky takim është takimi i parë për vitin 2022 i Forumit Konsultativ për Qeverisje Lokale dhe është mbështetur nga organizata jo qeveritare Syri i Vizionit.