Prishtinë, 7 Gusht 2018
Është mbajtur tryeza e rrumbullakët e organizuar në kuadër të aktiviteteve të programit të USAID-it për Komuna transparente, efektive dhe llogaridhënëse (USAID TEAM) dhe Institutit Demokratik të Kosovës / Transparency International Kosova. Qëllimi i tryezës ishte diskutimi i Indeksit të Transparencës në Prokurimin Publik për Komunat e Kosovës për vitin 2017.
Me këtë rast, Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së znj. Rozafa Ukimeraj përpara të pranishme theksoi se “Këtë vit, kemi shënuar 10 vjetorin e kornizës ligjore për vetëqeverisje lokale dhe sigurisht se rezultatet nga viti ne vit, kanë shënuar progres të lehtë. Në vitin 2017, Komunat kaluan me sukses procesin e zgjedhjeve lokale; procesin e konstituimit të organeve lokale ashtu siç përcaktohet me kornizën ligjore për vetëqeverisje lokale. Gjatë vitit 2017, Komunat kanë mbajtur 56 takime të gjithëpërfshirëse me qytetarë. Krahas tyre, janë themeluar 27 komitete konsultative në komuna në 12 fusha përkatëse, ka pasur 56 raportime të kryetarëve para kuvendeve të komunave, si dhe 1261 akte të publikuara në ueb-faqet komunale (apo 90% nga totali i akteve të aprovuara).
Por pavarësisht këtyre shifrave inkurajuese, edhe sipas raportit që po prezantohet nga instituti Demokratik i Kosovës, evidentimi se 9 komuna nuk kanë ofruar qasje në dokumentet publike është tregues jo i mirë i transparencës dhe llogaridhënies komunale, e aq më tepër kur këto komuna përfaqësojnë të drejtat e 120 mijë qytetarëve që jetojnë në to, si dhe qindra bizneseve të cilat ofrojnë shërbime dhe i kontribuojnë ekonomisë lokale.
MAPL mbetet e përkushtuar që të forcojë transparencën dhe llogaridhënien publike, duke përfshirë këtu edhe dhënien e shembullit institucional sa i përket transparencës. Ne jemi në proces të krijimit të një modeli institucional transparent, dhe vitin tjetër planifikojmë që këtë sistem t’a zgjerojmë dhe replikojmë edhe në 5 komuna. Ne tashmë kemi filluar një proces transparent të monitorimit të rekrutimit të pozitave të shërbyesve civil (projekt i mbështetur nga ambasada britanike dhe implementuar nga BIRN); kemi vlerësuar projekt-propozimet për kategorinë e subvencioneve në bashkëpunim me shoqërinë civile; vlerësimet e ligjshmërisë së akteve komunale bëhen publike në kohë reale; kontratat e prokurimit janë publike dhe aktualisht e kemi të hapur ftesën për të gjitha organizatat e shoqërisë civile që të paraqesin interesin e tyre për monitorimin e të gjitha proceseve tenderuese. Ne kujdesemi që në të gjitha komunat të bëhet një standard i transparencës, pavarësisht se arritja e standardeve më të larta mund të jetë e vështirë.
Në bashkëpunim me projektin #USAID/TEAM do të vazhdojmë punën e përbashkët që duke dhënë shembullin institucional sipas mandatit që e ka MAPL do të reflektojë që këto praktika të mira t’i përdorin komunat”.