Prishtinë, 28 prill 2021
Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Elbert Krasnqi priti në takim Znj. Ulrika Richardson, koordinatore për Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara (UNDC); Znj. Maria Suokko, përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Kosovë, Znj. Marta Gazideda, Zëvendës Koordinatore e Programit dhe Menaxhere e Portfolios për Qeverisje si dhe Shpend Qamili, zyrtar për komunikimin. Në këtë takim u diskutua për projektet e realizuara deri më tani në mes të MAPL-së dhe UNDP-së për zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Ministri Krasniqi e falënderojë znj. Richardson për vizitën, urimin si dhe për përkrahjen që UNDP ka ofruar në ngritjen e kapaciteteve komunale, sidomos në rritjen e kontrollit të brendshëm dhe transparencës buxhetore për shpenzimin e fondeve publike dhe forcimin e shoqërisë civile duke iu mundësuar pjesëmarrje aktive në vendimmarrje lokale.
Ministri Krasniqi gjithashtu njoftoi përfaqësueset e UNDP-së me prioritetet e MAPL-së, sidomos në identifikimin dhe adresimin e problemeve që ka shkaktuar pandemia COVID – 19 në nivel lokal, reformën e kornizës ligjore për pushtetin lokal, koordinimin e nivelit qendror me atë lokal.
Gjatë takimit ministri Krasniqi dhe përfaqësueset e UNDP-së gjithashtu kanë biseduar për përmbushjen e objektivave në nivel lokal në përputhje me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, mjedisin, drejtësinë, masat kundër korrupsionit, respektimin e të drejtave njerëzore, dialogut ndëretnik, planet për integritet në nivel lokal, si dhe buxhetimin me theks të veçantë në partneritet publiko – privat. Gjithashtu, u diskutua për koherencën sociale – përfshirjen sa më të madhe të personave të margjinalizuar në shërbimet komunale, ngritjen e besimit të këtyre grupeve ndaj këtyre shërbimeve, por edhe për mundësitë e reja dhe inovative që fusha e digjitalizimit mund të sjell në zhvillim të qëndrueshëm në nivel lokal. Të dy palët u pajtuan që të thellojnë dhe forcojnë bashkëpunimin edhe më tej në përmbushjen e këtyre objektivave.