Prishtinë, 24 Maj 2021
Gjatë takimit të mbajtur sot, ndërmjet Ministrit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Elbert Krasniqi dhe Ministres së Ministrisë së Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, u diskutuan çështjet e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punëve dhe aktiviteteve të përbashkëta të Ministrive.

Theks i veçantë iu dha diskutimit rreth lëndëve të inicuara pranë Gjykatës kompetente, në të cilat Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal përfaqësohet nga ana e Avokaturës Shtetërore, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, lëndë të cilat kanë për objekt trajtimi harmonizimin e akteve juridike të Komunave me legjislacionin në fuqi, sipas kërkesave dhe rekomandimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga znj. Albulena Haxhiu, i ofroi bashkëpunimin e saj të plotë Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, në kuptim të koordinimit dhe bashkëpunimit përmes Avokaturës Shtetërore në raport me çështjen e mësipërme, si dhe angazhimet e tjera të përbashkëta.