Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, ka marrë pjesë në organizimin e Këshillit të Evropës për promovimin e demokracisë lokale, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare.
Në fjalën e tij, Ministri z. Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e angazhimit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në mbështetjen e Komunave dhe qytetarëve:
“Ne jemi të lumtur që Këshilli i Evropës po analizon përputhshmërinë e sistemit tonë. Jam shumë i lumtur që vetëqeverisja lokale më në fund ka marrë vëmendjen dhe fokusin të cilin e meriton, si nga ana e Qeverisë, ashtu edhe nga ana e organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare.
Një gjë e tillë, gjithashtu është përgjegjësi për pozitën që kam dhe kërkon angazhim dhe përkushtim maksimal në mënyrë që ta avancojmë këtë fushë. E përmes avancimit të saj, në mënyrë direkte prekim dhe përmirësojmë jetën e gjithë qytetarëve tanë.
Natyrisht çdo reforma paraprakisht duhet të përcillet me studime të hollësishme të fushës përkatëse, në mënyrë që ajo te jetë e duhur dhe përmbajtësore. Ky studim i publikuar sot i kontribuon kësaj çështje dhe është një aset shumë i rëndësishëm që do ta ketë MAPL.
Gjithashtu, Ministri z. Krasniqi, në fjalën e tij, ka përmendur hapat e ndërmarrë në raport me procesin Eloge të akredituar nga Këshilli i Evropës: “kam kënaqësi të ndaj me juve për herë të parë, që jemi në proces të detalizimit të hapave final të programit ELOGE, të akredituar nga Këshilli Evropës. Synimi i këtij programi do të jetë vlerësimi se ku qëndrojnë komunat për sa i përket pajtueshmërisë me 12 Parimet e Qeverisjes së Mirë Demokratike.