Ministri Krasniqi në Komitetin Ndërministor për të Drejtat e Fëmijëve, thekson rolin e MAPL-së në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre

Prishtinë, 1 qershor 2023

Në kuadër të takimit Ndërministor për të Drejtat e Fëmijëve, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka përmendur rolin e MAPL-në në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve përmes mekanizmave qeveritar dhe lokal.

Në fjalën e tij ministri Krasniqi ka theksuar se ”MAPL, është duke monitoruar Udhëzimin Administrativ, për Themelimin dhe Funksionimin e Ekipi për Drejtat e Fëmijës të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Në 26 Komuna tashmë janë themeluar ekipe për të drejtat e fëmijëve të cilat ekipe kanë për qëllim të forcojë rolin dhe përgjegjësinë e komunave për të garantuar të drejtat e fëmijëve. Ekipi për të drejtat e fëmijëve është mekanizëm i përbashkët lokal, i cili do të punojë drejtpërdrejt në adresimin e çështjes specifike të fëmijëve dhe për të promovuar mirëqenien e tyre në mënyrë gjithëpërfshirëse”.

Gjithashtu, në fund të fjalës së tij, ministri Krasniqi ka uruar të gjithë fëmijët për ditën e 1 qershorit duke ritheksuar përkushtimin e përbashkët për të krijuar një të ardhme të ndritur e cila mund të ndërtohet vetëm përmes sukseseve të sotshme, në të cilën të gjithë fëmijët kanë mundësinë të zhvillohen plotësisht dhe të jetojnë jetën me dinjitet.