01 mars 2012
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherit Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, duke folur në “Ceremoninë e ndarjes së fondit stimulues USAID/DEMI dhe MAPL”, ka thënë se forcimi i strukturave të vetëqeverisjes lokale që do të ofronin shërbime sa më efikase për qytetarët, paraqet qëllimin kryesor të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Dua t’ju bind që edhe strategjia e re për vetëqeverisjen lokale që është në fazën përfundimtare në thelb ka rezultatet e punës së komunave dhe shërbimin efikas ndaj qytetarëve. Ne po përpiqemi të marrim përvojat dhe të përcjellim trendin e të gjithë atyre që kanë një demokraci të konsoliduar. Mendojmë që kjo do të na ndihmojë për realizimin e së ardhmes evropiane”, ka thënë Zëvendëskryeministri Petrovic.
Ai ka shtuar gjithashtu se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të vazhdojë të përkrahë të gjitha komunat dhe do të angazhohet çdo ditë për të siguruar sa më shumë fonde.
“Këtë do ta bëjmë jo vetëm për të realizuar obligimet tona ligjore por që me shërbimet efikase të përmirësojmë kualitetin e jetës së qytetarëve tonë”, ka përfunduar ministri Petrovic.
Në ceremoninë e sotme gjithashtu kanë marrë pjesë edhe kryetarët e komunave dhe Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rifat Krasniq.