Ministri Todosijevic nënshkroi Marrëveshjet e Mirëkuptimit me Kryetarët e Komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut

16 mars 2018, Prishtinë

Ministri Ivan Todosijevic, në emër të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, sot nënshkroi Marrëveshjet e Mirëkuptimit për bashkëfinancimin e projekteve me Kryetarët e Komunave të Zveçanit dhe Zubin Potokut.

Nënshkrimi i marrëveshjeve ndërmjet MAPL-së dhe dy komunave në veri të Kosovës u realizua në kuadër të mbështetjes financiare të Ministrisë për realizimin e projekteve kapitale.

Projektet për komunën e Zveçanit të cilat duhet të realizohen, kanë të bëjnë me rindërtimin e shtegut për këmbësorë në Rugën “Mbreti Pjetër”, asfaltimin e rrugës në Banov Dol dhe ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza përgjatë lumit Korilja, faza e II-të. Në komunën e Zubin Potokut projektet lidhen me ndërtimin e rrugëve dhe instalimin e ndriçimit publik në vendbanimet Prelez, Jagnjenica, Zupce (faza II) dhe Gjurovici.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal mbetet e përkushtuar në mbështetjen e komunave me qëllim të zhvillimit të projekteve të cilat janë në interes të komunave dhe qytetarëve të tyre, dhe shpresoj që komunat, me mbështetje të plotë të MAPL-së, do t’i realizojnë projektet pa vështirësi dhe me këtë të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve në njësitë e cekura lokale“, theksoi Todosijevic pas përfundimit të nënshkrimit të marrëveshjeve.