Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal shënon ngjarjen vjetore të publikimit të Raportit të Funksionimit të Komunave për vitin 2017

11 maj 2018, Prishtinë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me projektin DEMOS  ka organizuar ngjarjen vjetore të publikimit të Raportit të Funksionimit të Komunave për vitin 2017. Përpara kryetarëve të komunave, kryesuesve të kuvendeve të komunave, përfaqësuesve të shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare dhe mediave janë prezantuar të arriturat dhe sfidat e komunave.

Zëvendësministri i MAPL-së z. Beqir Fejzullahu falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke theksuar se “trendi i vetëqeverisjes lokale është orientuar më shumë në fuqizimin e partneritetit në mes të pushtetit lokal dhe qytetarëve, si dhe epjes së kolorit më të lartë ndaj transparencës, llogaridhënies dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë edhe prioritetet jo vetëm të pushtetit lokal, por për të gjithë vendin”. Ndër të tjera, z. Fejzullahu potencoi se “gjatë këtij viti janë realizuar dhe zhvilluar një serë aktivitetesh në komuna me qëllim të zhvillimit të konceptit të një qytetarie aktive, përmes aktivizimit të qytetarëve në vendimmarrje,  e cila është  “databazë” primare e vetë pushtetit lokal. Për më tepër, komunat kanë ushtruar funksionet e tyre në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm që dalin nga dokumentet strategjike,  përfshirë Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Aasociimit – PKZMSA”.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, znj. Rozafa Ukimeraj, prezantoi  Raportin e funksionimit të Komunave për vitin 2017 duke nënvizuar se “ kuvendet e komunave dhe komitetet e tyre kanë mbajtur 459 mbledhje, prej të cilave 323 kanë qenë mbledhje të rregullta, 52 të jashtëzakonshme, 43 solemne, 3 urgjente dhe 38 inauguruese, ndërkaq sa i përket miratimit të akteve të komunave për vitin 2017, kuvendet e komunave kanë miratuar gjithsejtë 1405 akte komunale, prej të cilave 1328 vendime dhe 77 rregullore”.

Gjithashtu, vlen të theksohet se komunat kanë pasur një numër të vogël të shkeljeve ligjore, ku krahasuar me mandatin e kaluar, numri i shkeljeve është ulur dukshëm. Sa i përket përmbushjes së obligimeve të komunave nga agjenda evropiane, komunat kanë arritur të përmbushin 67% të masave të parapara.

Lidhur me performancën e komunave në menaxhimin e buxhetit, gjatë vitit 2017 përgjithësisht vërehet progres në këtë fushë, ku planifikimi i të hyrave vetanake për vitin 2017 ka qenë në vlerë prej 78,163,490.00€, kurse në vitin 2016 ka qenë në vlerë prej 79,622,353.00 €, që është më i vogël për 1,458,863.00 ose për 1.83%.

Realizimi i të hyrave direkte dhe indirekte në vitin 2017 ka qenë 72,529,276.75€, ndërkaq sa i përket shpenzimeve, në vitin 2017 komunat kanë shpenzuar buxhetet e tyre në vlerë të përgjithshme prej 419,327,289,09 € ose 90% të buxhetit të planifikuar në vlerë prej 466,567,443.76 €.

Komunat të cilat kanë arritur të shpenzojnë në total buxhetin në nivel më të  lartë prej  91% – 99% të nivelit vjetor të buxhetuar janë 23  komuna, në 10 komuna është shpenzuar 80%-90% të buxhetit dhe 5 komuna në 56%-75% të buxhetit.

Në fund të takimit, Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së znj. Ukimeraj falënderoj komunat, partnerët ndërkombëtar, shoqërinë civile dhe mediat  për bashkëpunimin e pa rezervë që kemi pasur gjatë vitit 2017 duke nënvizuar se Ministria e Administrimit të Pushteti Lokal në koherencë ka përkrahur dhe do të përkrah komunat në të gjitha fushat për të cilat ato kanë nevojë.