Ministrja Hodžić ndau shpërblimet për komunat për rezultatet më të mira në ofrimin e shërbimeve komunale për vitin 2018

Prishtinë, 15 maj 2019

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal organizoi ceremoninë me rastin e publikimit të  Raportit  të performancës së komunave për vitin 2018, si dhe ndarjen e shpërblimeve  për komunat.

Ministrja e MAPL-së Adriana Hodžić me rastin e publikimit të raportit theksoi se performanca komunale ka qenë një nga projektet më komplekse të realizuara, njëherësh më i sukseshmi dhe i vetmi në rajon. Kjo ide daton që nga viti 2009, në një kohë kur fokusi i ministrisë ishte përqendruar në ndërtimin e një administrate moderne dhe funksionale. Me mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe qeverisë zvicerane vitin e kaluar, ne kemi vazhduar të punojmë në zgjerimin e kritereve të performancës, në përcaktimin e fushave specifike, si dhe treguesve të performancës, dizajnin e platformës on-line për të menaxhuar të dhënat dhe parashikimin e fondeve dhe granteve stimuluese.

Ministrja  Hodžić informoi publikun se në bazë të vlerësimit të performancës për vitin 2018, do të shpërblehen 24 komuna, ku shihet qartë një rritje e dukshme e performancës krahasuar me vitin 2017 dhe për përmbushjen  e kritereve të barazisë gjinore, do të shpërblehen  4 komuna për vitin 2018 . Aktualisht, një fond prej 9 milion eurosh është në dispozicion për katër vjet, bashkëfinancuar me SDC / DEMOS. Qeveria e Suedisë gjithashtu është e përfshirë në program me 1.5 milion euro, ndërsa negociatat janë duke u zhvilluar edhe me disa donatorë për të rritur këtë vlerë për vitet e ardhshme.

Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së Rozafa Ukimeraj, prezantoi Raportin e Performancës së Komunave për vitin 2018, në bazë sistemit për menaxhimin e performancës së komunave.

Vlera e fondit stimulues arrin në 1.5 milion euro, ku 1.3 milion euro janë ndarë për 24 komuna me performancën më të lartë, ndërsa 200,000 euro janë ndarë për 4 komuna me arritjen më të lartë sipas vlerësimeve për treguesit për përfaqësim të barabartë gjinor.

Në fund të ceremonisë, ministrja Hodžić ftoi donatorët e tjerë potencialë për t’u bashkuar dhe të bëhen partnerë në rritjen e kapaciteteve financiare të komunave, i cili do të kontribuojë në funksionimin më efikas të komunave në zbatimin e vullnetit të qytetarëve!