Prishtinë, 07 maj 2019
Sot, në mbledhjen e 102-të të Qeverisë së Kosovës, Ministrja e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal Adrijana Hodžić ka prezantuar Raportin e Funksionimit të Komunave për periudhën janar – mars 2019.

Me këtë rast, Ministrja Hodžić theksoi se Raporti ka për qëllim informimin e drejtë të institucioneve qendrore, për nivelin e funksionimit të organeve vendimmarrëse të komunave, si dhe krijimin e një pasqyre të qartë lidhur me punën e organeve të komunave.

Në kuadër të raportit, janë përfshirë të dhënat për 38 komunat e Republikës së Kosovës.
Paralelisht me kuvendet e komunave kanë funksionuar edhe mekanizmat e kuvendeve të komunave, përkatësisht komitetet e përhershme te kuvendeve, si: Komiteti për Politikë dhe Financa dhe Komiteti për Komunitete.
Në këtë periudhë, kuvendet e komunave kanë miratuar gjithsej 524 akte, (37 rregullore dhe 487 vendime).
MAPL dhe ministrit e linjës kanë shqyrtuar ligjshmërinë e akteve të komunave dhe kanë konfirmuar të ligjshme 488 akte, ndërsa 36 akte janë konstatuar të kundërligjshme. Pas kërkesave për rishqyrtim të ligjshmërisë se akteve të konstatuar të kundërligjshme, kuvendet e komunave kanë shqyrtuar dhe harmonizuar 10 akte, 22 akte janë brenda afatit për rishqyrtim, ndërsa 4 akte janë dërguar në Ministrinë e Drejtësisë për kundërshtimin e tyre në gjykatën kompetente.
Pra, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ka kërkuar dhe kërkon nga organet e komunës, të respektojnë të gjitha obligimet ligjore që dalin nga legjislacioni i zbatueshëm në Republikën e Kosovës.