Në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Asociacioni i Komunave… 13 korrik 2011, Prishtinë
Në vazhdën e koordinimit të aktiviteteve, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) mbajtën takim me kryetarë të komunave të Kosovës me qëllim për të diskutuar dhe harmonizuar qëndrimet lidhur me amandamentimin e ligjit për vetëqeverisje lokale.
Duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm krijimin e një sistemi të qëndrueshëm për vetëqeverisje lokale, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic tha se konsultimet e përbashkëta ndikojnë fuqishëm në mënjanimin e vështirësive të cilat dalin në rrugën tonë.
"Ju bëj thirrje që të debatojmë së bashku, me argumentime të vërteta, sepse ju si kryetarë të komunave duhet të ndikoni në rritjen e transparencës si dhe në kornizën ligjore drejt standardeve të Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Me këtë rast, Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), z. Bajrush Xhemajli tha se synimi i përbashkët është që ligji për vetëqeverisje lokale në Kosovë të jetë i zbatueshëm në praktikë. Ai shtoi se AKK tashmë ka paraqitur rekomandimet lidhur me këtë ligj dhe ky është kontribut i kryetarëve të komunave të Kosovës.
Më tej në takim, detaje të propozimeve për amandamentimin e këtij ligji u paraqitën nga Drejtori i Departamentit Ligjor në MAPL, z. Agron Maxhuni, derisa kryetarët e komunave paraqitën pikëpamjet e tyre bazuar në praktikat e komunave të cilat ata udhëheqin.
Në fund të takimit u tha se do të vazhdohet me harmonizimin e propozimeve para se ky ligj të finalizohet dhe të procedohet më tutje.