Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi së bashku me Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë vizituar sot qytetin e Pejës, me qëllim të promovimit të mundësisë për bursa për studentë të komuniteteve egjiptianë, ashkali dhe rom për të studiuar në Fakultetin e Edukimit.
Me qëllim promovimin e edukimit tek komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom dhe nxitjen në zhvillim akademik, ministri Krasniqi dhe ministrja Nagavci, kohë më parë kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për ofrimin e ndihmës financiare për studentë në të gjitha universitetet publike të Republikës së Kosovës. Ndërkohë që tashmë është formuar Grupi i përbashkët koordinues për promovimin e edukimit në arsimin e lartë tek komunitetet ashkali, egjiptianë dhe rom, i përbërë nga përfaqësues të MAShTI, MAPL dhe Shoqërisë Civile. Në takimin e këtij grupi, sot kanë marrë pjesë edhe ministrat Krasniqi e Nagavci, nga ku kanë dhënë mesazhin se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë.
Ministri Krasniqi përmendi kushtet e vështira me të cilat ballafaqohet një pjesë e madhe e këtyre komuniteteve dhe tha se mbështetja financiare i motivon ata që të ndjekin dhe përfundojnë studimet në universitetet publike. Po ashtu, ai theksoi rëndësinë që ka përfshirja në mësimdhënie e komuniteteve ashkalinj, egjiptianë dhe rom.
Ndërsa, Ministrja Nagavci theksoi se gjithëpërfshirja dhe cilësia në arsim janë prioritet dhe në MAShTI po punohet me përkushtim në këtë drejtim. Ajo theksoi se përmes përkrahjes që rrjedhë nga Memorandumi do të sjellim përfitime afatgjata për gjithë shoqërinë pasi kjo do të kontribuonte në krijimin e kuadrit me kualifikim të lartë nga këto komunitete dhe gjithashtu në rritjen e nivelit arsimor në komunitetet përkatëse.
Të dy ministrat kanë zhvilluar edhe një takim me kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, me të cilin kanë biseduar për gjendjen në arsimin e kësaj komune, veçanërisht për bashkëpunimin mes nivelit qendror dhe lokal, me qëllim përmirësimin e kushteve për arsimimin e grupeve të margjinalizuara.
Ministrat Krasniqi e Nagavci, më pas kanë vizituar edhe shkollën “Xhemajl Kada” në Pejë, ku kanë takuar nxënës të komuniteteve që ndjekin mësimin intenziv dhe prindërit e tyre. Të dy ministrat kanë biseduar me ta për rëndësinë që ka arsimi për të ardhmen e fëmijëve të tyre dhe për një jetë më të mirë për të gjithë.