Zëvendëskryeministri Petrovic priti në takim Raportuesin e Bashkimit Evropian për Serbinë z. Jelko Kacin
Situata politike në Kosovë dhe procesi i decentralizmit, ishin temë diskutimi gjatë takimit të Zëvendëskryeministrit të Kosovës, njëherit Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic me Raportuesin e Bashkimit Evropian për Serbinë z. Jelko Kacin.
“Për të gjithë ata që dëshirojnë të vlerësojnë në mënyrë të drejtë raportet mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, duhet të vijnë në jug të Kosovës, sepse Veriu nuk është tregimi real” tha Zëvendëskryeministri Petrovic në takimin me Raportuesin e Bashkimit Evropian për Serbinë z. Jelko Kacin.
Duke folur për situatën në Veri të Mitrovicës, Zëvendëskryeministri Petrovic tha se Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale pwr të përmirësuar kualitetin e jetesës së qytetarëve TW Veriut dhe është e domosdoshme që qytetarët e veriut të jenë më shumë aktiv në proces.
“Besimi reciprok në mes shqiptarëve dhe serbëve është parakusht për stabilizimin e situatës në Veri dhe krijimin e institucioneve demokratike” theksoi Zëvendëskryeministri Petrovic.
Krijimi I komunës Veriore të Mitrovicës është domosdoshmëri që situata atje ti kthehet normalitetit shtoi z. Petrovic.
Raportuesi i Bashkimit Evropian për Serbinë z. Jelko Kacin shprehi mirënjohjen e tij për Zëvendëskryeministrin Petrovic dhe punën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në procesin e decentralizimit dhe mbështetjes së komunave.
Gjatë takimit me z. Jelko Kacin, Zëvendëskryeministri Petrovic, shprehi mirënjohje për angazhimin e Parlamentit Evropian në mbështetje të proceseve politike për Kosovën dhe theksoi se në fokus të angazhimeve të Institucioneve të Kosovës, vazhdon të mbetet procesi I Integrimit Evropian dhe zbatimi I kritereve të kërkuara drejt realizimit të këtij procesi të domosdoshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj.