Strategjia e Qeverisë së Kosovës për veri të Kosovës do të bazohet në planin e Ahtisarit, sepse është një shans që serbët nuk duhet të humbasin, tha në një intervistë ekskluzive për "Zërin e Amerikës" – Zëvendëskryeministri i Kosovës Slobodan Petrovic.
Strategjia e Qeverisë së Kosovës për veri të Kosovës do të bazohet në planin e Ahtisarit, sepse është një shans që serbët nuk duhet të humbasin, tha në një intervistë ekskluzive për "Zërin e Amerikës" – Zëvendëskryeministri i Kosovës Slobodan Petrovic.
Petrovic i cili është gjithashtu Ministër i Pushtetit Lokal, tha se fokusi kryesor do të jetë në strategjinë e zhvillimit ekonomik për këtë pjesë të Kosovës dhe theksoi se partnerët për zbatimin e saj në vendin e parë do të jenë vetë qytetarët.
Zëri i Amerikës: Në kohën e fundit keni paralajmëruar një strategji të re të Qeverisë së Kosovës për Veriun e Kosovës. Në çka bazohet ajo?
Slobodan Petrovic: "Para së gjithash strategjia për veriun është edhe në kuadër të planit të Marti Ahtisarit. Ajo është e përqendruar kryesisht në zhvillimin ekonomik të veriut. Është thjesht e papranueshme që çështja e veriut dhe decentralizimit është politizuar aq shumë. Unë kam mundësinë të shoh se sa qytetarët në veri humbasin investimet, jo vetëm nga Qeveria e Kosovës, por edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe është e nevojshme që në atë mënyrë të bëjmë mobilizimin e mjeteve për qytetarët tanë në veri, në mënyrë që të zbatohen projektet".
Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo se qytetarët në veri nuk mund të përfitojnë asgjë më shumë se plani i Ahtisarit. Ka pasur tregime rreth të ashtuquajturit plani "Ahtisari Plus?
Slobodan Petrovic: "Ajo që është fakt mbi të gjitha është se ne jemi kritikues të asaj që ne nuk e njohim. Unë e di se ky plan nuk është ideal kurse jam i vetëdijshëm për realitetin që kjo është një mundësi që nuk guxojmë ta humbasim. Kemi mundësinë për të parë procesin e decentralizimit dhe procesin e krijimit të komunave të reja me shumicë serbe në jug të Kosovës. Ky fakt në vetvete thotë shumë. Nuk është e mjaftueshme vetëm të formohen komunat, por pastaj mbi atë bazë të punohet për të përmirësuar jetën dhe kjo është një lojë në të cilën qytetarët luajnë një rol të rëndësishëm. Është e nevojshme që qytetarët të cilët jetojnë në veri të informohen në mënyrë të drejtë për këtë proces. Është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv vlerësimi në raportin e Komisionit Evropian për progresin e Kosovës, ku në mënyrë pozitive vlerësohet procesi i decentralizimit, si një proces më i mirë që ka ndodhur në Kosovë në këto vitet e fundit. Ky është një fakt dhe unë jam i vetëdijshëm se qytetarët në veri, para se gjithash të nacionalitetit serb, duhet të jenë të informuar në mënyrë të drejtë dhe të dinë se çka është në favor të tyre ".
Zëri i Amerikës: Çka ju shkon në favor atyre? A munden komunat e decentralizuara me shumicë serbe këtu në jug, në një farë mënyre, të jenë një shembull i mirë për veriun e Kosovës?
Slobodan Petrovic: "Patjetër që munden. Aty ka edhe shumë punë dhe veprime për forcimin e kapacitetit të atyre komunave. Është reale se edhe periudha prej dy vjetësh është shumë e shkurtë për të vlerësuar ato komuna. Në pjesën e infrastrukturës ka shumë përmirësime, edhe pse jam i vetëdijshëm se edhe aty ka vend për punë dhe për cilësi më të lartë. Por është e sigurtë që ato mund të jenë shembull për veriun".
Zëri i Amerikës: A keni partnerë dhe të cilët janë partnerët tuaj për zbatimin e kësaj strategjie?
Slobodan Petrovic: "Në çdo rast, partnerët duhet të jenë vetë qytetarët, sepse kudo në botë në procesin e decentralizimit, qytetarët janë pjesë e këtij procesi, sepse kjo është në interesin e tyre".