Zëvendëskryeministri Petrovic priti në takim përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zhbogar
Domosdoshmëria e stabilizimit të situatës në Veri të Mitrovicës ishte temë kryesore që u diskutua sot në takimin e zhvilluar mes Zëvendëskryeministrit të Kosovës, njëherit Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic dhe përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zhbogar.
Gjatë këtij takimi Zëvendëskryeministri Petrovic e njoftoi z. Samuel Zhbogar për përparimin e arritur në zbatimin e procesit të decentralizimit, posaçërisht krijimit të komunave të reja si dhe për veprimet e fundit të ndërmarra nga institucionet e Kosovës në Veri të Mitrovicës.
“Situata në veri është e brishtë, qytetarët e Veriut kanë nevojë për stabilitet dhe meritojnë të jetojnë më mirë” tha Zëvendëskryeministri Petrovic.
Zëvendëskryeministri Petrovic tha se në kuadër të angazhimeve të institucioneve të Kosovës për të ndihmuar qytetarët në Veri të Mitrovicës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, javën e kaluar ka filluar shpërndarjen e ndihmave humanitare në Veri të Mitrovicës për familjet në gjendje të rëndë sociale dhe ky aktivitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Në takimin me z. Samuel Zhbogar, Zëvendëskryeministri Petrovic theksoi se krijimi i komunës Veriore të Mitrovicës dhe forcimi i demokracisë qytetare mbetet në agjendën prioritare të Institucioneve të Kosovës.
Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, z. Samuel Zhbogar i ofroi mbështetje të plotë Zëvendëskryeministrit Petrovic në realizmin e agjendës për stabilizimin e situatës në Veri të Mitrovicës.