Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me OSBE-në, ka vazhduar promovimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale në regjionin e Pejës me përfaqësues nga komunat: Pejë Gjakovë, Deçan, Istog, Klinë dhe Junik.
26 prill 2016
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal në bashkëpunim me OSBE-në, ka vazhduar promovimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale në regjionin e Pejës me përfaqësues nga komunat: Pejë Gjakovë, Deçan, Istog, Klinë dhe Junik.
Në diskutimin e përbashkët me kryetarët e komunave strukturat tjera lokale, shoqërisë civile, medieve dhe përfaqësues të bizneseve, përfaqësuesit nga MAPL- ja dhe OSB-ja paraqitën orientimet strategjike të vetëqeverisjes lokale për dhjetë vjetët e ardhshme, duke theksuar obligimet që dalin për institucionet qendrore dhe lokale përgjatë fazës së implementimit të këtij dokumenti.
Zëvendësministri Bajram Gecaj, tha se komunat gjatë ushtrimit të kompetencave të tyre, kanë bërë progres sa i përket përmbushjes së mandatit të tyre kushtetues ligjor dhe në raport me qytetarët, megjithatë, sfidat për komunat mbeten akoma të mëdha. Zëvendësministri Gecaj tha se pavarësisht nga fakti se legjislacioni vetëqeverisje lokale garanton se komunat kanë një numër të konsiderueshëm të kompetencave, gjatë procesit të konsolidimit dhe reformimit të pushtetit lokal, ato janë përballur me vështirësi në aspektin politik, ligjor, sistemor, organizativ, territorial, ekonomik, financiar, administrativ, pronësor dhe qështje tjera. “Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur orientimet strategjike për vetëqeverisjen Lokale dhe përmes miratimit të Strategjisë për Vetëqeverisjes Lokale është synuar që sistemi ekzistues i vetëqeverisjes lokale dhe marrëdhëniet ndërmjet qeverisë qendrore dhe lokale të transformohen në shërbim të funksionimit integral të strukturës sonë shtetërore, konform standardeve të vendosura përballë procesit të integrimet Evropian” tha Zëvendësministri i MAPL-së, z. Bajram Gecaj.
Objektivat e kësaj strategjie, ndërlidhen gjithashtu edhe me disa nga prioritetet apo objektivat e Programit të Punës së Qeverisë siç janë: zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, si dhe sundimi i ligjit dhe shteti ligjor si dhe objektivat e përcaktuara me Planin kombëtar për zhvillim, tha z. Gecaj.
Rozafa Ukimeraj, Ushtruesja e Detyrës së Sekretares së Përgjithshme në Mistrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal tha se baza e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2016-20126, është ndërtuar me qëllimin kryesor për të ngritur cilësinë e shërbime më të mira komunale dhe përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve. Njëra nga objektivat kryesore të Strategjisë do të jetë zhvillimi ekonomik lokal dhe forcimi i kapaciteteve profesionale të organeve të vetëqeverisjes lokale për të përmbushur kërkesat e qytetarëve dhe për të arritur përmirësim të qëndrueshëm në shërbimet që komunat ofrojnë për qytetarët, tha znj Ukimreaj.
Gjatë prezantimit të saj, znj Ukimeraj, theksoi se njëra ndër objektivat e rëndësishme të Strategjisë është promovimi i vlerave të trashëgimisë dhe diversitetit kulturor, natyror dhe social me qëllim të afirmimit dhe zhvillimit social, ekonomik dhe kulturor në komuna ndërsa rëndësi e veçantë do ti kushtohet f forcimit të partneriteteve ndërmjet pushtetit lokal, shoqërisë civile dhe bizneseve për të krijuar një qytetari aktive, gjithëpërfshirëse dhe kohezive.
Objektivë tjetër e rëndësishme e Strategjisë për dhjetë vjetët e ardhshme do të jetë edhe krijimi i një kornize për qeverisje të mirë për të siguruar përfaqësimi demokratik të qytetarëve dhe administratë efikase në nivel komunal, theksoi znj Ukimeraj.
Zëvendësshefja e OSBE-së në Kosovë, znj. Paivi Nikander, tha se misioni i OSBE-së në Kosovë do ta mbështes në vazhdimësi zbatimin e Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale e cila është e bazuar në objektiva zhvillimore dhe me interes për qytetarët dhe komunat që të njëjtën kohë promovon transparencën, gjithë-përfshirjen, jo- diskrimin dhe aspekte tjera zhvillimore në nivel lokal.
Kryetari Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxhiri tha se Strategjia për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026, do ti ndihmojë komunat në arritjen e objektivave zhvillimore, ne veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik lokal.
Pas promovimit të Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale, në regjionin e Prizrenit, Gjilanit, Mitrovicës dhe Pejës, përmbyllja e promovimit e Strategjisë do të bëhet me komunat dhe grupet tjera të interesit në regjionin e Prishtinës.