Lansohet Granti i Performancës komunale në vlerë prej 9 milionësh për periudhën 2018 – 2021
Prishtinë, 9 Tetor 2018
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) me përkrahje të Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) organizuan ceremoninë e lansimit të Grantit të Performancës së komunave.
Me rastin e lansimit të Grantit të performancës, Ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Ivan Todosijevic në fjalën e mirëseardhjes tha se “Ndërmjet MAPL-së dhe partnerit strategjik SDC (projekti DEMOS), kemi patur një përvojë të jashtëzakonshme në zbatimin e shumë projekteve me interes të pushtetit lokal në Kosovë. Ky projekt është segment shumë i rëndësishëm i sistemit të menaxhimit të performancës komunale, i cili ka për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale të komunave përmes skemës së granteve që ofrohen sipas kritereve të përfitimit. Ky sistem ka qenë një nga projektet më komplekse që kemi patur gjatë këtyre viteve, por njëherësh më i suksesshmi. Ideja për krijimin e sistemit të performancës komunale daton që nga viti 2009, në kohën kur i gjithë fokusi i ministrisë ishte në ndërtimin e një administrate moderne dhe funksionale në nivel lokal”.
Për më tepër, gjatë këtij viti, si pjesë e Grantit të performancës të MAPL-së dhe SDC/DEMOS janë finalizuar edhe ciklet e vlerësimit të performancës komunale për vitin 2016 dhe vitin 2017. Në ciklin vlerësues për vitin 2016 janë shpallur 25 komuna përfituese, ndërsa në ciklin vlerësues për vitin 2017 janë shpallur 19 komuna përfituese.
Zëvendësministri i Financave z. Hyzer Gashi, theksoi se “është shumë e qëlluar edhe fushë veprimtaria e këtij Granti që përmes stimujve financiar të nxisin dhe përkrahin komunat në përmirësimin e performancës së tyre në fushat e qeverisjes demokratike, menaxhimit, transparencës etj. Në fakt pikërisht këto sfera të angazhimit janë në masë të madhe edhe përcaktuese të zhvillimit të përgjithshëm të secilës komunë, prandaj edhe përkrahja e tyre krijon dhe do të krijojë efekte pozitive në qeverisjen komunale.
Ndërkaq, Ambasadori i Zvicrës në Kosovë z. Jean – Hubert Lebet gjatë fjalimit të tij tha, “ne mbetemi të përkushtuar në mbështetjen e zhvillimit të mëtejshëm të qeverisjes lokale në Kosovë dhe jemi të bindur se së bashku do të japim kontribut të rëndësishëm për këtë qëllim.
Ne besojmë se Granti i performancës është një shembull i mirë i një bashkëpunimi midis donatorëve dhe institucioneve qeveritare dhe kjo përvojë mund të shërbejë si një model për sektorët e tjerë.
Sekretarja e Përgjithshme e MAPL-së znj. Rozafa Ukimeraj prezantoi në etapa historikun e krijimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës së Komunave, duke vënë në pah veprimet e ndërmarra përgjatë 10 viteve në drejtim të vendosjes së bazës ligjore për vlerësimin e performancës komunale, rëndësinë dhe efektet e saj, si dhe për skemën e përbashkët të grantit të performancës komunale ndërmjet MAPL-së dhe SDC/DEMOS.
Granti i performancës komunale është bashkëfinancim i MAPL-së dhe SDC/DEMOS, buxheti vjetor i të cilit arrin 2.25 milion euro në vit dhe është në dispozicion për vitet 2018 – 2021. Granti i performancës i ndahet komunave bazuar në performancën e tyre në fushat e përzgjedhura si: qeverisja demokratike, menaxhimi komunal, si dhe transparenca dhe integriteti.
Në këtë ngjarje kanë marrë pjesë: Kryetarët e Komunave, Kryesuesit e Kuvendeve të Komunave, Drejtorë të Komunave dhe zyrtarë të tjerë komunalë, përfaqësuesit e ministrive përkatëse, përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar, komuniteti i donatorëve, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të tjerë.