Valbonë/Tiranë, 5 – 6 tetor 2021
Me datë 5 tetor 2021, në ambientet e Qendrës për Zhvillim të Turizmit në Valbonë të Shqipërisë është mbajtur ngjarja përmbyllëse e projektit ‘’Zgjatimi Via Dinarica në Zonën ndërkufitare Shqipëri – Kosovë’’. Ky projekt kontribuon në fuqizimin e aktivitetit ekonomik ndërkufitar përmes modeleve unike të qëndrueshme të turizmit bazuar në vlerat natyrore tradicionale të zonës. Po ashtu, projekti është financuar nga Bashkimi Evropian, ndërkaq është zbatuar nga Fondi për Zhvillim Komunitar (CDF) nga Kosova në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH) nga Shqipëria. Vlera e përgjithshme e financimit është 444,684.38 EUR nga të cilat 377,981.73 EUR financuar nga Bashkimi Evropian e që është 85% të vlerës së përgjithshme të projektit.
Me datë 6 tetor 2021, është mbajtur takimi bilateral teknik ndërmjet strukturave operative të Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe me pjesëmarrje të përfaqësueses së Delegacionit të BE-së në Tiranë, në kuadër të zbatimit të programit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II 2014 – 2020. Në këtë takim u diskutuan zbatimi i asistencës teknike, plani indikativ i aktiviteteve të përbashkëta të programit, zbatimi i projekteve nga ana e përfituesve, procesi i programimit të dokumentit të IPA III 2021 – 2027, si dhe çështje të tjera të programit.