Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Jeton Qela, dhe zëvendësministri Agon Batusha pritën në takim zyrtarët e Bashkimit Evropian në Kosovë, të kryesuar nga Cyprien Francois, kryesues i sektorit politik të BE-së në Kosovë.
Gjatë këtij takimi fillimisht u prezantuan ekspertët dhe roli i tyre në mbështetjen e komunave, veçanërisht në forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, identifikimin e nevojave, si dhe adresimin e çështjeve që lidhen me funksionimin institucional të komunave.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian njoftuan sekretarin Qela se ekspertët do të ofrojnë mbështetje profesionale dhe do të kontribuojnë në lehtësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe në zbatimin e obligimeve ligjore, në përputhje me mandatin dhe përgjegjësitë e tyre.
Zëvendësministri Batusha theksoi rëndësinë e adresimit të problemeve dhe nevojave të qytetarëve në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës, si dhe të forcimit të bashkëpunimit të këtyre komunave me institucionet e nivelit qendror.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të rregullt me ekspertët, përmes takimeve dhe komunikimit të vazhdueshëm, me qëllim të adresimit të çështjeve konkrete dhe mbështetjes së funksionimit sa më efektiv të institucioneve lokale.
