“Problemi më i madh në veri të Kosovës qëndron në mungesën e sundimit të ligjit dhe pamundësinë që qytetarët të informohen në mënyrë të drejtë lidhur me të drejtat e tyre dhe të mirat që sjell procesi I decentralizimit” tha Zëvendëskryeministri Petrovic me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve me OJQ-të nga Veriu
20 mars 2012, Prishtinë
Në vazhdën e angazhimeve të institucioneve të Kosovës, përkatësisht realizimit të procesit të decentralizmit, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njehërit Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic nënshkroi sot marrëveshje mirëkuptimi me organizata joqeveritare nga Veriu i Mitrovicës të cilët nëpërmjet projekteve do të promovojnë integrimin e komuniteteve.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, Zëvendëskryeministri Petrovic tha se Institucionet Kosovare veprojnë në mënyrë të kufizuar në pjesën veriore të Kosovës me arsye të mirënjohura politike, edhe pse Institucionet e Kosovës veçanërisht në fushën e decentralizimit qëllimin kryesor e kanë përmirësimin e standardit jetësor për qytetarët.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve me organizatat jo-qeveritare nga Veriu, Zëvendëskryeministri Petrovic falënderoi OJQ-të për kontributin e dhënë në implementimin e procesit të decentralizimit, Ekipin Përgatitor Komunal të Mitrovicës së Veriut, si dhe organizatat ndërkombëtare në Kosovë, në veçanti Zyrën civile ndërkombëtare .
Projektin për iniciativa të përbashkëta me qëllim të integrimit të komuniteteve , Ministria e Administrimit te Pushtetit Lokal, e ka lancuar në muajin janar të këtij viti me ç’rast ka bërë thirrje për të gjitha OJQ-të, që veprojnë në rajonin e Veriut të Mitrovicës, të ofrojnë projekte konkrete që ndihmojnë dhe promovojnë iniciativa të përbashkëta mes komuniteteve.
Grantet e ndara sot, përfshijnë shumën prej 3,000.00 deri në 5,000.00 euro, ndërsa kanë për qëllim promovimin e kulturës, nëpërmjet panaireve, aktivizim të nxënësve të të dy pjesëve të qytetit në aktivitete të përbashkëta, organizim garash mes të rinjve në muzikë, aktivitete sportive si dhe aktivitete tjera kulturore.
Gjithashtu projekti përfshinë edhe programe për promovimin e zhvillimi ekonomik si dhe fushata informuese për qytetarët lidhur me fenomenet negative në shoqëri si droga, prostitucioni etj.
Përzgjedhja e organizatave përfituese është bërë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, Zyra Civile Ndërkombëtare dhe Ekipi Përgatitor Komunal që vepron në Veri të Mitrovicës.