Me qëllim të bashkërendimit institucional si në nivel qendror ashtu edhe në atë Lokal, në fushën e integrimit Europian, e në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave… 07 Prill 2011, Prishtinë
Me qëllim të bashkërendimit institucional si në nivel qendror ashtu edhe në atë Lokal, në fushën e integrimit Europian, e në veçanti në procesin e liberalizimit të vizave, sidomos sa përket ri-integrimit të personave të riatdhesuar, është organizuar takimi i përbashkët ndërmjet Zyrës së Kryeministrit, Ministrive relevante dhe komunave të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaçi tha se ky proces është ngushtësisht i ndërlidhur dhe varet nga raporti i progresit që Institucionet e Republikës së Kosovës do të shënojmë në fushën e ri-integrimit të qytetarëve që janë riatdhesuar apo pritet të riatdhesohen në bazë të legjislacionit të vendit tonë apo të marrëveshjeve bilaterale të nënshkruar me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Thaçi ftoi kryetarët e komunave që të përkushtohen maksimalisht në procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, gjë që do të ndihmonte në fillimin e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave.
"Kërkesa ime e parë që ju drejtohet juve është që të angazhoheni personalisht në arritjen e progresit sa më të lartë, të siguroheni që secili institucion komunal t’ju përgjigjet juve, të jetë sa më i familjarizuar me legjislacionin në fuqi, strategjinë relevante, por edhe kornizën institucionale relevante si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, të dizajnuar për tu përballur me këtë proces shumë të rëndësishëm, si dhe të mbani shënime dhe të raportoni saktë, drejt, me kohë, shpejt, sa më detajisht për të gjitha të arriturat tuaja.Ju tani më jeni të njohur me angazhimet tona ën drejtim të zhvillimit të kapaciteteve për tu përball me këtë proces kompleks" – u shpreh Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ndërkaq sa i përket bashkëpunimit në mes Qeverisë dhe Komunave në procesin e ri-integrimit të personave të riatdhesuar, Zëvendëskryeministri dhe Ministri Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic tha se procesi i Liberalizimit të Vizave është një ndër prioritet kryesore të Qeverisë e ku një rol dhe obligim themelor dhe mjaft të rëndësishëm në këtë proces e kanë komunat përkatësisht zyrat apo zyrtarët komunale për komunitete dhe kthim dhe Drejtorit tjera të komunës.
"Të nderuar Kryetarë të komunave në mënyrë që ky proces të jetë më lehtë i realizueshëm nga komunat dhe të këtë një koordinim sa më të mirë në mes nivelit qëndror dhe lokal, MAPL në bashkëpunim me institucionet tjera ka punuar në nxerrjen e rregullores 02/2010 për zyrat komunale për komunitete dhe kthim, rregullore kjo e miratuar nga Kryeministri i Kosovës, andaj kërkoj që të funksionalizoni këto zyra dhe të ju jepni përkrahjen e nevojshme por ndërkohë nga këto zyra të kërkoni përgjegjësinë dhe suksesin e pritshëm”.
Zëvendëskryeministri Petrovic, tha se “në mënyrë që ky proces të mos jetë barrë financiare për komunat e Qeveria ka aprovuar fond të veçantë në vlerë afro 3.5 milion euro, i cili fond mund të shfrytëzohet nga të gjitha komunat varësisht nga numri i të riatdhesuarve duke u bazuar në kriteret për përfitim të nxjerra nga MPB dhe institucionet tjera përkrahëse”.
Ndërkaq, z. Khaldoun Sinno, u.d. Udhëheqës i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, duke ju drejtuar të pranishmëve inkurajoi në veçanti kryetarët e komunave duke thënë se ky proces kërkon përkushtim edhe ana e nivelit lokal.
"Mbështetja jonë nuk vihet në pikëpyetje, ju keni fonde të papërdorura dhe duhet të identifikoni nevojat e njerëzve dhe t;i shfrytëzoni këto sepse sikur që është përgjegjësi e nivelit qendror të përkushtohen në këtë proces , është edhe përgjegjësi e juaja-nivelit lokal. Ne jemi këtu jo vetëm për mbështetje financiare por edhe asistencë teknike”u shpreh z. Sinno.