Zëvendëskryeministri Petrovic: Bashkërendimi i aktiviteteve ndërministrore, si dhe shfrytëzimi i të gjitha… Prishtinë,14 korrik 2011
Zëvendëskryeministri Petrovic: Bashkërendimi i aktiviteteve ndërministrore, si dhe shfrytëzimi i të gjitha kapaciteteve ekzistuese është shumë i rëndësishëm për realizimin e synimit strategjik të programit qeveritar
Bashkë-kryesuar nga Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic dhe nga Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO), Pieter Feith u mbajt takimi i grupit ndërministror për decentralizim, në të cilin merrnin pjesë ministra dhe zëvendësministra të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të ambasadave, si dhe të institucioneve e organizmave relevant që veprojnë në Kosovë.
Duke vlerësuar si shumë pozitiv hapat e deritanishëm të Qeverisë së Kosovës në kuadër të procesit të decentralizimit, Zëvendëskryeministri Petrovic tha se bashkërendimi i aktiviteteve ndërministrore, si dhe shfrytëzimi i të gjitha kapaciteteve ekzistuese, është shumë i rëndësishëm për realizimin e synimit strategjik të programit qeveritar, i cili ka të bëjë me krijimin e një sistemi të qëndrueshëm dhe efikas të vetëqeverisjes lokale në gjithë territorin e Kosovës.
"Duke punuar në realizimin e qëllimeve tona, me një qasje të koordinimit ndër-sektorial, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Civile Ndërkombëtare ka funksionalizuar të gjitha grupet punuese sipas planit të veprimit për zbatimin e decentralizimit”, tha Zëvendëskryeministri Petrovic.
Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare z. Pieter Feith tha se shkalla e zhvillimit nëpër komunat e sapokrijuara nuk është e njëjtë ashtu siç nuk janë të njëjta as nevojat e qytetarëve të cilat adresohen nga ato.
"Besoj se me përkrahjen e duhur, e cila ka të bëjë jo vetëm me ndarjen e mjeteve por edhe me ngritjen e kapaciteteve të nevojshme dhe me mbështetjen strategjike nga ana e institucioneve qendrore, ato do të jenë në gjendje që të ofrojnë shërbime më të mira për qytetarët”, tha z. Pieter Feith.
Në Takimin e Grupit Ndërministror për Decentralizim, Zëvendëskryeministri Petrovic prezantoi raportin e progresit të grupeve punuese për decentralizim, derisa përfaqësuesit e ministrive të linjës si dhe të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kontribuuan me diskutimet e tyre lidhur me progresin e arritur si dhe angazhimet aktuale në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm, veçanërisht në komunat e sapokrijuara, në shërbim të të gjithë qytetarëve.
Pas takimit, të dy bashkëkryesuesit Petrovic dhe Feith mbajtën konferencë me media, interesimi i të cilave ishte, veçanërisht, lidhur me situatën në veriun e Mitrovicës dhe krijimin e komunës së re atje. Me këtë rast, ata sërish ritheksuan nevojën por edhe përkushtimin që në partneritet të plotë të sigurojnë që procesi i decentralizimit në Kosovë të jetë i suksesshëm.