Grupi Punues për hartimin e Koncept-Dokumentit për themelimin e Akademisë për Vetëqeverisje Lokale, i kryesuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në përbërje të përfaqësuesve të tjerë institucional, përfshirë IKAP, MF, institutin GAP dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, ka mbajtur takimin e parë informues për hapat që duhet ndjekur për themelimin e një institucioni të veçantë për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve komunal. Çështjet e ngritura në këtë takim shtruan nevojën për avancimin e kuadrit ligjor dhe institucional për zhvillimin e kapaciteteve të shërbyesve civil në komuna. 9 shtator 2016, Prishtinë
Grupi Punues për hartimin e Koncept-Dokumentit për themelimin e Akademisë për Vetëqeverisje Lokale, i kryesuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në përbërje të përfaqësuesve të tjerë institucional, përfshirë IKAP, MF, institutin GAP dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, ka mbajtur takimin e parë informues për hapat që duhet ndjekur për themelimin e një institucioni të veçantë për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve komunal. Çështjet e ngritura në këtë takim shtruan nevojën për avancimin e kuadrit ligjor dhe institucional për zhvillimin e kapaciteteve të shërbyesve civil në komuna.
Ylli Valla, Ushtrues i Detyrës së Departamentit për Integrime Evropiane, theksoi rëndësinë e hartimit të Koncept-Dokumentit për Akademinë për Vetëqeverisje lokale, si hap që do të sjell përmirësimin e kapaciteteve të administratës lokale, në mënyrë që përveç reflektimit të saj në jetën institucionale dhe shoqërore, kjo do të jetë edhe një nga parakushtet për plotësimin e kritereve politike në kuadër të agjendës evropiane.
Në anën, tjetër Diellor Gashi Udhëheqës I Divizionit për Koordinim të Politikave, paraqiti hapat të cilët duhet ndjekur në hartimin e këtij dokumenti, si obligim që del nga Strategjia për Vetëqeverisje Lokale 2016-2018, dhe si rezultat i të gjeturave në vitet e kaluara për domosdoshmërinë e ekzistimit të një institucioni të veçantë të karakterit publik që do të ofroj trajnimet specifike në fushën e vetëqeverisjes lokale. Njëkohësisht u paraqitën disa praktika të vendeve të tjera për rregullim të ngjashëm të mekanizmave publik për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve në nivel lokal.
Bekim Salihu nga instituti GAP ka potencuar nevojën që stafi i komunave të trajnohet dhe certifikohet, por Salihu ka kundërshtuar idenë që Kosova te rris numrin e agjencive ose organizatave publike. Sipas tij, trajnimet që janë menduar të zhvillohet duke krijuar Akademinë për Vetëqeverisje Lokale do te duhet të zhvilloheshin brenda IKAP-it dhe në bashkëpunim me të.
I ngjashëm ishte edhe qëndrimi i përfaqësuesve të IKAP-it, të cilët nënvizuan rolin e IKAP-it në të ardhmen si institucion përgjegjës për shërbimin civil në nivel vendi, duke minimizuar arsyen e themelimit të një Akademie të veçantë në fushën e vetëqeverisjes lokale.
Nga ky takim, anëtarët e Grupit Drejtues u pajtuan që në takimet e radhës të ofrohen opsione konkrete për mënyrën e themelimit të Akademisë për Vetëqeverisje Lokale, duke u fokusuar në arsyetimin për krijimin e një ligji të veçantë, statusin juridik që do të ketë Akademia (nëse do të themelohet) dhe pozitën brenda administratës shtetërore, mënyrën e organizimit, mënyrën e financimit, programet që do të ofrohen si dhe çështje të tjera. Veç kësaj u vendos të përpilohet një plan dinamik i punës, duke obliguar anëtarët e GP-së të ofrojnë alternativat për zgjedhjen e opsionit më të qëndrueshëm që do të jetë dominues ndaj propozimeve të tjera të cilat duhet të adresohen në Qeveri.
Sipas Strategjisë për Vetëqeverisje Lokale 2016-2026, Akademia për Vetëqeverisje Lokale parashihet të jetë institucion i veçantë që do të merret me çështjen e ngritjes së kapaciteteve të shërbyesve civil në komuna, stafit politik, si institucion që do të jetë i dislokuar në komuna të caktuara, përgjegjës për akreditimin e programeve të trajnimeve, certifikimin e stafit komunal, ofrimin e hulumtimeve të ndryshme në fushën e qeverisjes lokale si dhe sfera të tjera të mbështetjes së komunave në ushtrimin e kompetencave komunale.