Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal organizoi takimin e radhës me donatorët mbështetës të ministrisë dhe qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës me qëllim të prezantimit të projekteve të realizuara dhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta pët të ardhmen.
Prishtinë, 14 korrik 2016
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal organizoi takimin e radhës me donatorët mbështetës të ministrisë dhe qeverisjes lokale në Republikën e Kosovës me qëllim të prezantimit të projekteve të realizuara dhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta pët të ardhmen.
Në këtë takim të kryesuar nga U. D. Sekretare e Përgjithshme e MAPL-së znj. Rozafa Ukimeraj morën pjesë zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal z. Bajram Gecaj, Udhëheqësit e Departamenteve të MAPL-së, si dhe përfaqësues të donatorëve të cilët e mbështesin Ministrinë dhe qeverisjen lokale në Republikën e Kosovës.
Takimi është hapur nga U. D. Sekretare e Përgjithshme e MAPL-së znj. Rozafa Ukimeraj e cila falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe njëkohësisht falënderoi përfaqësuesit e donatorëve për realizimin e aktiviteteve të përbashkëta që kanë pasur dhe për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Qëllimi i mbajtjes së këtij takimi ka qenë diskutimi për projektet e realizuara dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen me donatorët që mbështesin qeverisjen lokale në Republikën e Kosovës.
Po ashtu, zëvendësministri i MAPL-së z.Bajram Gecaj i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre. Z. Gecaj përmendi dy pikat kryesore për të cilat MAPL-ja ka nevojë për përkrahjen e donatorëve në të ardhmen, veçanërisht në “studimin e fizibilitetit të vetëqeverisjes lokale dhe mbështetjen e komunave për përmbushjen e obligimeve nga agjenda evropiane”. Ndër të tjera, zv. Ministri Gecaj i inkurajoi të pranishmit që sa më shumë të identifikohen fushat apo aktivitetet të cilat mund të përkrahen nga donatorët mbështetës, aktivitete të cilat janë në interes të institucioneve dhe qytetarëve të vendit.
Udhëheqësit e departamenteve të MAPL-së veç e veç prezantuan aktivitetet të cilat janë realizuar në bashkëpunim me donatorët mbështetës, si dhe njëkohësisht prezantuan nevojat e reja për Ministrinë dhe Komunat me qëllim të mbështetjes së tyre nga donatorët për pjesën e dytë të vitit 2016 dhe për vitin 2017.
Në fund të takimit përfaqësuesit e donatorëve shprehen gatishmërinë e tyre në drejtim të mbështetjes së aktiviteteve të përbashkëta edhe për të ardhmen.