Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijevic, është takuar dje me Shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së, Nataliya Apostolova. Ata biseduan rreth çështjeve aktuale që kanë të bëjnë me bashkëpunimin në mes të MAPL-së dhe Zyrës së BE-së/PPBE, dhe për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Përveç kësaj ata biseduan gjithashtu edhe për zbatimin e deritashëm të Marrëveshjes së Brukselit dhe funksionimit të vetëqeverisjeve lokale, si dhe domosdoshmërinë e implementimit të Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.
Todosijevic theksoi se kjo pjesë e marrëveshjes është kyçe në implementimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Brukselit në tërësi, por edhe pjesët e marrëveshjes të cilat ende nuk janë implementuar plotësisht.
Në fund të takimit, ministri Todosijevic e falënderoi Zyrën e BE-së/PPBE për zgjidhjen e suksesshme të çështjeve aktuale në nivelin lokal dhe theksoi se ai do të angazhohet për të gjitha komunitetet në Kosovë.