Todosijevic nënshkruan Marrëveshjen me UNDP-në për themelimin e një sistemi të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e transparencës për MAPL-në

Prishtinë, 9 Gusht 2018

Sot, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z.Ivan Todosijevic, priti në takim përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së për Kosovë, znj. Ulrika Richardson.

Ministri Todosijevic, falënderoi përfaqësuesen e përhershme të UNDP-së për Kosovë znj. Richardson, për përkrahjen e ofruar ndër vite për MAPL-në dhe Komunat me qëllim të avancimit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale, si dhe rritjes së transparencës në punën e tyre.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së për Kosovë, znj. Ulrika Richardson ka falënderuar Ministrin Todosijevic për mikpritjen dhe bashkëpunimin e deri tanishëm ndërmjet institucioneve të vendit dhe UNDP-së.

Ministri Todosijevic theksoi se qëllimi i Ministrisë është të përmirësojë kontrollet e brendshme dhe të rrisë transparencën me qëllim që të ndihmojë në zvogëlimin e parregullsive të brendshme, duke plotësuar rolin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe efikasitetit institucional, si dhe duke frymëzuar ministritë e tjera dhe komunat për të ndjekur këtë shembull. Po ashtu, kontrollet e brendshme nuk duhet të përdoren vetëm si mjet për parandalimin e parregullsive dhe sigurimin e pajtueshmërisë me ligjet dhe rregulloret por ato gjithashtu duhet të përdoren për të përmirësuar sistematikisht funksionimin institucional, veçanërisht në lidhje me efikasitetin dhe efektivitetin, dhe në anën tjetër, kapacitetet dhe performancën institucionale.

Me këtë rast, Ministri Todosijevic dhe znj. Richardson kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit e cila siguron dhe mundëson themelimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe rritjen e transparencës për MAPL-në.

Në përmbyllje të takimit, Ministri Todosijevic edhe njëherë falënderoj përzemërsisht znj. Richardson për bashkëpunimin e frytshëm dhe mbështetjen e ofruar.