Prishtinë, 9 Gusht 2018
Sot, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Ivan Todosijevic, priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Organizatës Demokracia për Zhvillim (D4D), z. Shpend Emini.
Ministri Todosijevic, shprehi falënderime për z. Emini, duke e vlerësuar lartë rolin dhe punën e shoqërisë civile në Kosovë, në kontekst të forcimit të veprimtarisë së mbikëqyrjes së punës të komunave të Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i D4D z. Shpend Emini e falënderoi Ministrin Todosijevic për gatishmërinë dhe angazhimin e treguar për të vazhduar dhe fuqizuar më tej bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të vendit dhe shoqërisë civile.
Ministri Todosijevic theksoi se forcimi i bashkëpunimit ndërmjet palëve përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, mundësojnë hulumtimin dhe ofrimin e zgjidhjeve më të përshtatshme për përmirësimin e sistemit të monitorimit të komunave dhe raportimit të të në një platformë softuerike të raportimit, sipas roleve dhe përgjegjësive të përshkruara në këtë memorandum.
Me këtë rast, Ministri Todosijevic dhe z. Emini kanë nënshkruar Memorandumin e Bashkëpunimit nëpërmjet të cilit synohet: Forcimi i kapaciteteve monitoruese të ministrisë në raport me funksionimin e organeve komunale; Hulumtimi dhe ofrimi i zgjidhjeve më bashkëkohore të monitorimit dhe raportimit përmes platformave on-line; Modernizimi i sistemit të menaxhimit të informatave me qëllim të përmirësimit të cilësisë së punës dhe arritjes së objektivave të ministrisë; Ngritja e cilësisë së raportimit të njësive organizative të Ministrisë me qëllim të ndërmarrjes së masave adekuate për problemet në lidhje me zbatimin e planeve të punës; Lehtësimi i komunikimit dhe bashkërendimit të aktiviteteve me komunat lidhur me çështjet e raportimit dhe përmbushjes së obligimeve ligjore; Monitorimi më cilësor i performancës së punës së komunave dhe njësive organizative të Ministrisë, si dhe ngritja e transparencës komunale dhe punonjësve të MAPL-së.

Në fund, Ministri Todosijevic falënderoj z. Emini duke e siguruar se ky bashkëpunim ndërmjet palëve do të vazhdoj edhe më tej.