Ministria e Administrimit te Pushtetit Lokal në bashkëpunim me Asociacionin e Komunave të Kosovës mbajti takimin me Kryetarët e Komunave ku u diskutua për Projektligjin për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-226 Për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës të hartuar nga Departamenti ligjor i MAPL-së.
Me këtë rast, Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Basri Musmurati theksoi se prona e paluajtshme komunale është aset i rëndësishëm i komunës, që ka ndikim në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal dhe në lehtësimin e ushtrimit të përgjegjësive komunale ndaj qytetarëve të saj.
“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal së bashku me akterët tjerë relevant ka bërë përpjekje maksimale që ky ligj të rregullojë në mënyrën më të mirë të mundshme këtë fushë specifike duke u përmbajtur hollësisht parimeve kyçe, që kanë të bëjnë me garantimin e interesit publik, rritjen e vlerës së pronës, ruajtjen e vlerave unikale të pronës, ruajtjen e mjedisit si dhe çështjeve tjera që paraqesin rëndësi të veçantë për qytetarët dhe mirëqenien e tyre ekonomiko-sociale”, theksoi Zëvendësministri Musmurati.
Ndërsa znj. Flutura Hoxha, Koordinatore për administrimin e procesit dhe amandamentimin e Projektligjit për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-226 Për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës/ MAPL, shpjegoi arsyet të cilat kanë bërë që të inicohet plotësim-ndryshimi i ligjit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës komunale.
“Këtij projekti i ka paraprirë një analizë e hollësishme duke u bazuar në praktikat më të mira të vendeve evropiane, dhe në parimet bazë të Kartës Evropiane për Qeverisje Lokale dhe mënyrën se si menaxhojnë autoritete lokale me pronën”.
Në këtë takim u diskutua edhe për Projekt-udhëzimin administrativ për shërbimet këshilluese për bujqësi dhe zhvillim rural të cilin e ka hartuar Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Me këtë rast Ministri Për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Blerand Stavileci bëri një ekspoze të këtij projekt-udhëzimi duke treguar për rëndësinë e këtyre shërbimeve në nivel lokal dhe rolin që do të kishin këto këshillimore për të mbështetur fermerët e komunave.
Në këtë takim, Kryetarët e Komunave pjesëmarrëse u pajtuan se Projekt-ligji Për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës është i një rëndësie te veçante për komunat dhe dhanë komentet e tyre për këtë projekt-ligj.
Ministria e Administrimit te Pushteti Lokal do jetë e përkushtuar dhe do vazhdojë të mbështes komunat e Kosovës në zbatimin e legjislacionit.