Zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic: “Përurimi i asfaltimit të rrugës tregon bashkëpunimin e… 09 korrik 2011
Zëvendëskryeministri Slobodan Petrovic: “Përurimi i asfaltimit të rrugës tregon bashkëpunimin e institucioneve qendrore dhe atyre lokale në avancimin e mirëqenies së përgjithshme qytetare”
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal Slobodan Petrovic së bashku me kryetarin e komunës së Kllokotit, z. Sasa Mirkovic përuruan asfaltimin e rrugës Mogillë- Verboc e cila lidhë fshatrat e kësaj komune.
Duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm realizimin e projektit infrastrukturor në komunën e Kllokotit, Zëvendëskryeministri Petrovic konfirmoi edhe njëherë gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të përkrahur iniciativat të cilat ndikojnë në përmirësimin e mirëqenies të gjithë qytetarëve.
"Bashkërisht do të ndërtojmë një perspektivë më të mirë për të gjithë”, u shpreh ai.
Gjithashtu, Kryetari i Komunës, z. Sasa Mirkovic duke vlerësuar lart realizimin e këtij projekti shumë të rëndësishmin për komunën e Kllokotit, falënderoi institucionet qendrore të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme që po u japin qytetarëve të kësaj komune.
Asfaltimi i rrugës Mogillë-Verboc, e gjatë 4,5 kilometra, është financuar nga Qeveria e Kosovës në vlerë prej 660 mijë euro.
Qëllimi i realizimit të këtij projekti është krijimi i kushteve sa më të mira për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe shpreh konfirmimin e bashkëpunimit të ngushtë midis autoriteteve qendrore dhe atyre lokale në Kosovë.