Vizitë në komunën e Kaçanikut dhe në komunën e Hanit të Elezit lidhur me detyrat nga Agjenda Evropiane

Në vazhdimësi të bashkëpunimit dhe përpjekjeve për të koordinuar aktivitetet e përbashkët, si dhe për të përmbushur detyrimet nga agjenda evropiane, MAPL ka filluar realizimin e vizitave në komunat e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të adresohen obligimet nga agjenda evropiane, obligime këto të cilat janë të përfshira në kuadër të Planit të Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (PVMSA).  20 shkurt 2015

Në vazhdimësi të bashkëpunimit dhe përpjekjeve për të koordinuar aktivitetet e përbashkët, si dhe për të përmbushur detyrimet nga agjenda evropiane, MAPL ka filluar realizimin e vizitave në komunat e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të adresohen obligimet nga agjenda evropiane, obligime këto të cilat janë të përfshira në kuadër të Planit të Veprimit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (PVMSA). 

Me datën 19 shkurt 2015, në plan të vizitave të komunave nga Departamenti për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave në kuadër të MAPL-së ishin komunat: Kaçanik dhe Hani i Elezit. 

Vizita e parë është realizuar në komunën e Kaçanikut, me ç’rast takimi u hap nga Kryetari i Komunës së Kaçanikut z. Besim ILAZI i cili priti ekipin e MAPL-së të kryesuar nga znj. Rozafa UKIMERAJ, Udhëheqëse e Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave, z. Yll VALLA, Zyrtar për Standarde të BE-së, znj. Sibel GUTIQ, Zyrtare për Programim të IPA-së dhe z. Ferdi KAMBERI, zyrtar për Koordinim të Politikave. Në takim përveç Kryetarit dhe ekipit nga MAPL, të pranishëm ishin edhe drejtorët e drejtorive të komunës dhe zyrtarë komunal për integrime evropiane.
Vizita e  dytë është realizuar në komunën e Hanit të Elezit, ku edhe në këtë takim ekipi i MAPL-së u prit nga Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit z. Rufki SUMA, drejtorët e drejtorive dhe zyrtarë komunal për integrime evropine. Në të dy takimet u diskutua lidhur me:

• Prezantimin e raportit vjetor dhe të gjeturat për komunën e Kaçanikut dhe komunën e Hanit të Elezit, për vitin 2014;
• Sfidat e dala nga Raporti i Progresit për Kosovën (2014) dhe obligimet e komunës; dhe
• Plani individual i komunës për MSA, për vitin 2015.

Gjatë zhvillimit të takimeve në të dy komunat, rëndësi të veçantë iu dha diskutimit dhe qasjes së planit të veprimit komunal për MSA, me ç’rast zyrtarët komunal bashkërisht u dakorduan për versionin final të planit komunal për MSA dhe për bashkëpunimet e mëtutjeshme ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, sidomos obligimet që kanë komunat në agjendën evropiane.