23 tetor 2012, Prishtinë
Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic, mori pjesë në Debatin e organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, me temë “Qasja e Qeverisë në Veri të Kosovës dhe skenarët e mundshëm ne procesin e negociatave për veriun e Kosovës”.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Petrovic, duke potencuar angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal në realizimin e projekteve të ndryshme në atë pjesë, si dhe duke vlerësuar hapjen e zyrës civile në atë pjesë, tha se situata në atë pjesë kërkon angazhim të gjithëmbarshëm.
“Për të pasur qasje në këtë pjesë kërkohet një angazhim më i madh jo vetëm i Qeverisë por edhe akterëve të tjerë, kërkohet sa më pak politikë dhe sa më shumë rezultate konkrete, dhe mendoj se dialogu Prishtinë-Beograd do të ndikojë që procesi i decentralizimit të vazhdojë edhe në Veri, që besoj se ka rëndësi esenciale jo vetëm për komunat, por për të gjithë”- theksoi Zëvendëskryeministri Petrovic.
z. Samuel Zhbogar, përfaqësues i BE në Kosovë theksoi se për t’u normalizuar raportet ndërfqinjësore duhet të zhvillohen tri lloj dialogësh: Dialogu Kosovë-Serbi, që tash ka nisur me ndihmën e BE dhe SHBA, dialogu i Kosovës me Veriun, për të cilin Qeveria e Kosovës ka disa ide konkrete dhe dialogu i tretë është në ne mes të vet serbëve në veri dhe në jug.
Në këtë debat, ishin të pranishëm edhe z. Aleksandar Stojanovic, nga OJQ “Qendra për zhvillim të mjedisit lokal”, dhe z. Agron Bajrami nga Koha ditore.