Zëvendëskryeministri Petrovic priti në takim delegacionin nga Republika e Çekisë

Sot, në ambientet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Prishtinë, 01 qershor 2011

Sot, në ambientet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit edhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic, priti  në takim  delegacionin nga Republika e Çekisë të udhëhequr nga kryetari i komitetit për mbrojtje dhe siguri në Republikën Çeke, ish-Ministri i Punëve të Brendshme z. František Bublan, i cili është dhe njëherit anëtar i partisë social-demokratike Çeke (ÇSSD).

Në këtë takim u diskutua për rrjedhat e përgjithshme politike në Kosovë me theks të veçantë lidhur me procesin e decentralizmit dhe reformën e qeverisjen lokale.

Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm, Zëvendëskryeministri Petroviq  e falënderoi  z. Bublan për mbështetjen të cilën Qeveria Çeke e ka dhënë për avancimin e qeverisjes së  mirë në Republikën e Kosovës.

Gjatë këtij takimi, Zëvendëskryeministri  Petroviq e njoftoi delegacionin nga Republika e Çekisë lidhur me prioritetet e punës së MAPL-së dhe shprehi zotimin e tij se, në koordinim të ngushtë me komunat, do të angazhohet fuqishëm në përmirësimin e mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovë.

Gjithashtu, Zëvendëskryeministri Petrovic e informoi delegacionin çek edhe për angazhimet konkrete të cilat Qeveria e Republikës së Kosovës i ka bërë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Në këtë rrafsh, pjesë e diskutimeve ishte edhe aspekti i sigurisë në Kosovë, e veçanërisht situata në veriun e Mitrovicës.

Në fund të takimit me Zëvendëskryeministrin Petrovic, delegacioni i Republikës së Çekisë shprehi edhe njëherë gatishmërinë e Qeverisë Çeke për t’i mbështetur institucionet e Republikës së Kosovës në procesin e decentralizimit dhe në reformimin e qeverisjes lokale gjë e cila ndikon edhe në ngritjen e mirëqenies së përgjithshme të qytetarëve në Kosovë.