Angazhimi i përbashkët i të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane ishte temë diskutimi në takimin mes Zëvendëskryeministrit të Kosovë Slobodan Petrovic dhe Zëvendëskryeministrin e Shqipërisë z. Edmond Haxhinasto…
26 maj 2011, Prishtinë
Angazhimi i përbashkët i të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane ishte temë diskutimi në takimin mes Zëvendëskryeministrit të Kosovë Slobodan Petrovic dhe Zëvendëskryeministrin e Shqipërisë z. Edmond Haxhinasto.
Zëvendëskryeministrin e Shqipërisë z. Edmond Haxhinasto tha se Shqipëria e ka mbështetur dhe do të mbështesë integrimin e Kosovës në të gjitha nismat rajonale.
Të dy zëvendëskryeministrat u dakorduan për bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës, veçanërisht në projektet e mëdha të infrastrukturës rrugore, energjetikës, të cilat po ecin me ritme të shpejta në të dy vendet, duke kontribuar në zhvillimin e një tregu të integruar pa pengesa fizike e jo fizike mes dy vendeve.Pas përfundimit të takimit Zëvendëskryeministrat Haxhinasto dhe Petroviç dhanë një konferencë të përbashkët për media
Konferenca e z. Haxhinasto dhe z. Petrovic
Z. Haxhinasto: Është kënaqësi e veçantë që prita sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Pushtetit Vendor të Kosovës, z. Sllobodan Petrovic. E falënderova për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, për integrimin e komunitetit serb në jetën politike, ekonomike e sociale, për t’i sjellë komunitetet shqiptare e serbe më pranë njeri-tjetrit. Kështu mund të përballohen sfidat e përbashkëta të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë për krijimin e një shoqërie me një vizion të ri për të ardhmen, që e sheh Kosovën si pjesë e Bashkimit Evropian. Diskutuam çështjet e axhendës dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke vënë theksin në nevojat për bashkëpunim në të gjitha fushat: në atë politike, në infrastrukturë të përbashkët rrugore dhe energjetike, në heqjen e të gjitha barrierave që ekzistojnë midis vendeve tona, me qëllim që të hedhim hapa të sigurtë drejt integrimit të dy vendeve tona.
Kam përsëritur gjithashtu mbështetjen e Republikës së Shqipërisë për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky është një dialog për çështje teknike dhe praktike, i cili do të sjellë ndryshim në cilësinë e jetës së dy komuniteteve. Ky proces do të sjellë një rritëm të ri për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Është e domosdoshme që, së shpejti, për Kosovën të fillojë përgatitja e hartës së rrugës për liberalizimin e vizave në hapësirën Shengen, si dhe fillimin e procesit të Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.
Serbia duhet të kuptojë këto realitete në Kosovë dhe të punojë në funksion të tyre, pasi procesi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe rruga e integrimit të saj në Evropë, janë të pandalshme. Askush nuk duhet të jetë sot i fiksuar me çështje territorresh. Sot gjithkush duhet të jetë i përqëndruar tek çështje si: cilësia e jetës dhe integrimi evropian i të gjithë qytetarëve të Kosovës, Serbisë dhe gjithë rajonit. Unë jam shumë i kënaqur, që z. Petrovic është njeri prej atyre që, me rolin e tij, me veprimtarinë e tij politike, mendon se e ardhmja është e përbashkët dhe punon për këtë qëllim.
Z.Petrovic: Kam kënaqësinë dhe privilegjin të jem për vizitë në Republikën e Shqipërisë. Kjo është dita e dytë e vizitës sime. Dje zhvilluam një takim me Kreun e Shtetit, z. Bamir Topi. Sot patëm një takim të frytshëm dhe të kënaqshëm me z. Haxhinasto. Vizita jonë është e shumëllojshme, me një delegacion që ka përfshirë të gjitha institucionet e Kosovës, qëndrore, vendore dhe institucionin e Presidentit të Kosovës. Falënderoj qytetarët e Shqipërisë për ndihmën që na japin ne, qytetarëve të Kosovës. Si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe si përfaqësues i institucioneve të komunitetit serb, dëshiroj që në emër të qytetarëve të Kosovës të falënderoj qeverinë e shtetit Shqiptar dhe qytetarët e saj për ndihmën dhe konkretisht donacionin prej 400 mijë euro për komunën e re të Graçanicës. Zëvendëskryeministri Haxhinasto përmendi temat për të cilat kemi diskutuar. Axhenda jonë e përbashkët është ajo e Bashkimit Evropian. Së bashku duhet të punojmë për të arritur të gjitha standardet e duhura.
Dëshiroj të jap mesazhin për të hapur një faqe të re në jetën tonë, që historinë ta lëmë në dorën e historianëve dhe ne, si të përzgjedhur nga qytetarët tanë për t’i përfaqësuar, së bashku të punojmë për një standard më të mirë jetese për të ardhmen. Në frymën e politikës pro-evropiane, dëshiroj t’ju them që po mundohemi të kemi sukses si qeveri e Kosovës, por duhet t’i gëzohemi dhe sukseseve të fqinjëve tanë, konkretisht të Republikës së Shqipërisë. Shfrytëzoj rastin t’ju uroj suksese në rrugën tuaj drejt integrimit dhe, gjithashtu, për liberalizimin e vizave, me dëshirën e mirë që edhe qytetarët e Kosovës të kenë mundësi ta fitojnë. Falenderoj përfaqësuesit e shtetit shqiptar me të cilët zhvillova takime dhe jam i sigurt që do kthehem me mendime shumë të mira nga kjo vizitë dy-ditore. E siguroj z. Haxhinasto se do të punoj edhe më tej në interesin e gjithë qytetarëve, në të gjitha komunat. Jam i sigurt që në këtë rrugëtim do të kem ndihmën e Brukselit dhe Uashingtonit, gjithashtu dhe të fqinjëve tanë, të Republikës së Shqipërisë. Faleminderit shumë.
Gazetari: Një pyetje për të dy zv.kryeministrat. Në sfondin e dialogut që ju sapo përmendët mes Kosovës dhe Serbisë, ka zëra për një ndarje të Kosovës. Cili është mendimi juaj?
Z.Haxhinasto: Ndarja e Kosovës, shkëmbimet e territoreve, ndryshimet e kufijve, krijimet e shteteve etnikisht të pastra kanë një fat të përbashkët- të gjitha kanë përfunduar në dështim, me gjakderdhje, me kosto shumë të mëdha, kryesisht për popujt e atyre vendeve që i kanë promovuar. Këto teza janë arkaike dhe krejtësisht në kundërshtim me frymën integruese, me frymën evropiane që ka përqafuar rajoni ynë me të ardhmen e tij. Prandaj gjykoj se teza të tilla nuk duhen marrë seriozisht, ato janë të dështuara. Republika e Shqipërisë i hedh poshtë ato. Ne mbështesim një filozofi tjetër, që është filozofia e integrimit, e heqjes së kufijve, e lëvizjes së lirë dhe integrimit të plotë, pra është filozofia e vlerave, të cilat qëndrojnë në themel të Bashkimit Evropia dhe të filozofisë tonë për politikën e jashtme.
Z. Petrovic: Është e ditur që ne kemi përkrahur bisedimet mes Serbisë dhe Prishtinës me dëshirë që të kemi rezultate në interes të qytetarëve. Siç e kemi përmendur edhe më parë, projekte të tilla në shtete multietnike për fat të keq në të kaluarën kanë pasur shumë viktima. Sigurisht, që të gjithë dëshirojmë të jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Programi ynë është që të punojmë në drejtim të integrimit. Çështjen e ndarjes nuk e ka përkrahur as Brukseli dhe as Uashingtoni dhe, nga përvoja praktike, jemi kundër këtyre ndarjeve. Ne, si qeveri, do të mundohemi që çdokujt t’i krijojmë kushte më të mira jetese dhe për këtë duhet të punojmë më tepër.
Gazetari: Cili është qëndrimi i ndërkombëtarëve për zgjedhjet?
Z. Haxhinasto: Qëndrimi i ndërkombëtarëve për zgjedhjet do të jepet qartë nga raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it, për të gjithë procesin. Ajo që rezulton dhe që u konfirmua nga deklarimi i djeshëm i z. Countryman, është që këto kanë qenë zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Tashmë çështjet juridike, për të cilat ka pasur diskutim, do të shqyrtohen në institucionet përkatëse. Unë uroj që gjithsecili të ketë durim dhe të respektojë institucionet për shprehjen e vendimit përfundimtar. Vlerësimi për këto zgjedhje është më pozitivi që kemi marrë ndonjëherë. Besoj që ky të jetë dhe vlerësimi pas realizimit të detyrave funksionale të institucioneve që realizojnë procesin e apelimit –dhe këtu e kam fjalën për KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor, me qëllim që Shqipëria të angazhohet më pas në një proces të shpejtë, për të realizuar sfidën madhore që ka – atë të integrimit evropian.