Prishtinë, 08 maj 2020
Dje, zëvendësministrja e MAPL-së znj. Fatbardha Emini dhe zëvendësministri i MPBAP-së z. Bajram Gecaj, kanë vazhduar serinë e vizitave nëpër komunat e Republikës së Kosovës. Në Komunën e Fushë Kosovës, zëvendësministrat janë pritur nga kryetari i komunës z. Burim Berisha.

Temë kryesore e takimit ishte çështja e pandemisë COVID – 19, me ç’rast zëvendësministrat u njoftuan për së afërmi nga kryetari Berisha lidhur me veprimet dhe masat që i ka ndërmarrë komuna me qëllim të menaxhimit sa më të mirë të situatës, kështu duke respektuar dhe zbatuar të gjitha masat dhe rekomandimet e vendosura nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve përgjegjëse të shëndetit publik.
Zëvendësministrat Emini dhe Gecaj e përgëzuan kryetarin Berisha për punën e bërë dhe njëkohësisht e siguruan se mbështetja e Qeverisë do të jetë afër komunave me qëllim të minimizimit dhe tejkalimit të situatës pandemike me virusin Corona.