13.06.2018, Prishtinë
Sot, më 13 qershor 2018, Instituti për Qeverisje Lokale (KLGI) në 10 vjetorin e miratimit të rregullativës për pushtetin lokal, njëherësh Jubileut të themelimit të tij ka organizuar Konferencën Jubilare të Qeverisjes Lokale me titull ’10 Vite pas Decentralizimit dhe Konstituimit të Qeverisjes Lokale – Sfidat e një dekade, rrugëtimi në dekadën e dytë’.

Konferenca kishte për qëllim forcimin e vetëqeverisjes lokale, shërbimin më të mirë për qytetarët e vendit, si dhe partnerëve të Kosovës të cilët kanë investuar dhe po investojnë në Kosovë.
Në sesionin e dytë të Konferencës “Drejt Reformave”, Zëvendësministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Beqir Fejzullahu, falënderoi Institutin për Qeverisje Lokale lidhur organizimin e kësaj Konference, e cila shënoi 10 vjetorin e konstituimit të qeverisjes lokale dhe përmbylljen e procesit së decentralizimit dhe zbatimit të plotë të obligimeve që kanë dalë nga pakoja e Ahtisarit.

Zëvendësministri Fejzullahu shtoi se “Qeverisja lokale, e cila tani po kalon në vetëqeverisje me tendenca të konsolidimit të autonomisë lokale për komunat dhe thellimit të reformave në sistemin e vetëqeverisjes lokale për komunat dhe thellimit të reformave në sistemin e vetëqeverisjes lokale në Kosovë, po hyn në fazën me të rëndësishme të funksionalizimit të saj.

MAPL ka hartuar “Strategjinë për Vetëqeverisjen Lokale 2016-2026” që do të jetë udhërrëfyes për të gjitha proceset në funksion të zhvillimit dhe të avancimit të vetëqeverisjes lokale në Kosovë. Një rol të rëndësishëm luan edhe MAPL, e cila ka për mision që të rritet autonomia lokale dhe të forcohet aftësia e Komunave, që nëpërmjet pjesëmarrjes aktive të qytetarëve dhe përfaqësimit demokratik, të ofrohen shërbime me kosto efektive për të rritur cilësinë e jetës, sigurinë dhe ekonominë lokale.

MAPL për këto 10 vite ka mbështetur komunat në ngritjen e cilësisë së shërbimeve komunale në aspektin teknik, administrativ dhe financiar dhe kjo mbështetje ju garantohet edhe në vitet ne vijim komunave me qëllim të avancimit të qeverisjes lokale”, tha Zëvendësministri Fejzullahu duke shtuar se do të punojmë të gjithë së bashku për një qeverisje lokale më të mirë, transparente, efikase, efektive në ofrimin e shërbimeve publike të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.